Begona Gomez, gruaja e kryeministrit spanjoll, Pedro Sanchez, ka rezultuar e infektuar me coronavirusin COVID-19.
Njoftimi u dha nga zyra e shtypit e kryeministrit, e cila shtoi se të dy, si kryeministri, si bashkëshortja, ishin në gjendje të mirë shëndetësore.
Kryeministri Sanchez shpalli izolimin e pjesshëm të Spanjës për 15 ditët e ardhshme, për të luftuar përhapjen e coronavirusit në vendin e tyre.
Spanja është shteti i dytë më i infektuar në Europë, pas Italisë.
Të gjithë spanjollët janë urdhëruar të mos dalin nga shtëpia, përveçse për të blerë ushqime, ilaçe, për të shkuar në punë të domosdoshme apo në spitale për urgjenca.
Të njëjtat masa tashmë kanë marrë edhe vende të tjera, si Austria e Franca, ku janë mbyllur baret, restorantet e çdo gjë që nuk shet mallra furnizimi me ushqime.
Në Spanjë janë 6391 persona të infektuar deri tani dhe kanë pasur 196 vdekje.
Në Britaninë e Madhe, numri i të vdekurve ka arritur në 21 dhe kryeministri Boris Xhonson ka dhënë urdhër që personat mbi 70 vjeç nuk duhet të dalin nga shtëpia.
SHBA-të kanë zgjeruar ndalimin e udhëtimeve jo vetëm me vendet e Shengenit, por edhe me Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandën.
Danimarka ka shënuar vdekjen e parë nga coronavirusi, ndërkohë që OBSH e ka cilësuar Europën si qendrën e re të COVID-19.