Presidenti i Republikës Ilir Meta e ka akuzuar mazhorancën se ka fabrikuar raportin ku thekson se ndryshimi I ligjit për Gjykatën Kushtetuese është konsultuar me institucionet e drejtësisë.
Euronews Albania ka zbardhur raportin e Kuvendit për Presidentin, ku shprehet se i ka dërguar kërkesën për mendim një sërë institucionesh si Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokuriorisë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, Shkollës së Magjistraturës dhe disa organizatave të shoqërisë civile.
Në raport nuk shprehet opinioni I këtyre organizatave, por se paralelisht me kërkesën për dhënien e mendimeve, për diskutimin e projektligjeve është ngritur edhe një grup pune me përfaqësues të disa prej institucioneve të sipërcituara dhe me asistencën e misionit EURALIUS.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta me anë të një deklarate për mediat ditën e djeshme tha se me 2 mars do të lidhë besën me qytetarët shqiptarë, e cila sipas tij, do të shërbejë si instrument kryesor për të “çmontuar” puçin institucional.
“Nga data 2 mars, kur do të firmoset dekreti i parë kundër grushtit të shtetit dhe në shpartallim të plotë të këtij grushti shteti, pikërisht para popullit shqiptar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” do të lidhim një besëlidhje për të shpartalluar njëherë e mirë regjimin e oligarkëve dhe mafies ndërkombëtare, që ka dhunuar sovranitetin kombëtar me qëllim shpopullimin e këtij vendi dhe shndërrimin e tij në një qendër pastrimi të parave, në një bazë operacioneve të krimit të organizuar, kombëtar dhe ndërkombëtar”, theksoi dje z. Meta.
Ai akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama se ka gisht në këtë plan, ndërsa shtoi faktin se ky i fundit po synon të jetësojë kapjen e sistemit të drejtësisë, konkretisht institucionin e Gjykatës Kushtetuese.
“Është kryeministri, ideatori, frymëzuesi dhe ekzekutori i këtij puçi shteti dhe ai do të jetë përgjegjësi i parë përpara popullit shqiptar dhe përpara drejtësisë së re që do të vijë pas triumfit kundër grushtit të shtetit dhe do të vijë patjetër”, u shpreh z. Meta.