Arabia Saudite ka hedhur poshtë çdo përgjegjësi për hakerimin e përfolur të telefonit të themeluesit të “Amazon”, Xhef Bezos nga princi i kurorës, Mohamed bin Salman. Ministri i Jashtëm i mbretërisë e ka cilësuar “absurd” pretendimin e raportuesve të OKB-së, që sugjeronin se autor i hakerimit kishte qenë princi Mohamed bin Salman.
“Mendoj se ‘absurde’ është fjala e duhur. Ideja që princi i kurorës ka hakeruar telefonin e Xhef Bezos është një marrëzi absolute. Gjithashtu, në dijeninë time, raporti i OKB-së nuk është i tillë, por vetëm një deklaratë bazuar në raportin e një kompanie private që nuk është verifikuar nga asnjë agjenci e që nuk përmban prova të forta për të mbështetur pretendimet e ngritura”, ka deklaruar Faisal Bin Farhan Al Saud, ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite
Ekspertë të sigurisë kibernetike të punësuar nga Bezos, njeriu më i pasur në botë, arritën në përfundimin se telefoni i tij ishte infiltruar nga një virus i dërguar përmes një videoje nga një profil në WhatsApp, që thuhet se i përket princit të kurorës Mohamed bin Salman. Ekspertët thanë gjithashtu se pajisja kishte filluar të rridhte informacione dhe të dhëna në masë të madhe rreth një muaj nga postimi i videos, në vitin 2018.
Raportuesit e posaçëm të OKB-së, Agnes Callamard dhe David Kaye deklaruan se kishin informacion që sugjeronte “përfshirjen e mundshme” të princit në sulmin kibernetik dhe kërkuan hetim të menjëhershëm nga Shtetet e Bashkuara dhe autoritetet e tjera.