Tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit, preku mbi 10 mijë banesa në qarqet Durrës, Tiranë, Lezhë, Kukës dhe Dibër. 1183 prej tyre janë shembur totalisht, ndërsa 3567 shtëpi janë më pak të dëmtuara. Pjesa tjetër e mbetur janë pallate me dëmtime serioze.
Si të veprojmë në rast se banesa është prekur nga tërmeti dhe duhet të inspektohet?
Avdulla Bana, përgjegjësi i shërbimeve publike pranë njësisë administrative nr.5 në Tiranë ka shpjeguar për Euronews Albania hap pas hapi se si ndiqet procedura e akt-konstatimit.
Pasi qytetari shkon fillimisht në zyrat e njësisë administrative përkatëse, pjesa tjetër e punës i mbetet grupit të inspektimit.
“Pas kërkesës që bën qytetari në njësinë administrative përkatëse, shkojmë dhe e shohim. Në radhë të parë shikojmë si është godina, me mur tulle, apo skelet me botonaturë. Shohim ku ka dëmtime dhe bëjmë akt-konstatimin,” tha Bana.
Më tej ai shpjegon se kur duhet të shqetësohen banorët edhe nëse struktura e banesës nuk është dëmtuar.
“Duhet të shqetësohen vërtetë kur një mur mbajtës është i dëmtuar ka çarje dhe kur një mur ndarës është me rrezik shembje. Këto raste përbëjnë rrezik serioz,” u shpreh ai.
Pyetjes nëse kompesohen banorët, në rastet kur shtëpia e tyre, është e banueshme, por ka dëmtime të konsiderueshme, Bana u pëgjigj se nuk çohet një procedurë e tillë për të gjitha rastet.
“Kur ka dëmtime të tjera ne e shkruajmë këtu, dhe veprohet për shpërblimin e dëmit. Por, jo të gjitha rastet, nuk mund të çohet një procedurë e tillë. Për gjëra elementare nuk bëhet,” shpjegoi përgjegjësi.
Vendorët në Tiranë vazhdojnë t’u bëjnë thirrje banorëve, që në raste dëmesh në shtëpi, të bëjnë kërkesë për akt-konstatim, pranë njësive administrative .