Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar edhe nga Përfaqësuesi i UNICEF-it në Shqipëri, Murat Sahin, ka vizituar Qendrën “Me një ndalesë”, pranë Spitalit Rajonal Fier e cila ofron shërbime të specializuara socio-shëndetësore për fëmijët të ekspozuar ndaj formave më të rënda të dhunës, përfshirë edhe dhunën seksuale.
Fëmijëve u ofrohet mbështetje në kushte krize, duke përfshirë shërbime mjekësore, këshillim të specializuar psikologjik dhe trajtim afatgjatë për tejkalimin e traumës.
“Unë shpresoj se shumë shpejt do të kemi qendrën e radhës në një qark tjetër me qëllim që të kemi këto lloj modelesh për të asistuar sidomos fëmijët të cilët janë edhe grupi më vulnerabël dhe që kërkojnë dhe një mbështetje dhe prani më të shtuar, jo vetëm tonën, por edhe gjithë sistemit të referimit të cilët duhet të ndodhet menjëherë në gatishmëri”, tha Albana Koçiu, ministre e Shëndetësisë.
Këto lloj modelesh pranë spitaleve apo strukturave shëndetësore aty ku paraqiten edhe për të marrë ndihmën e parë për shkak të një nevoje shëndetësore, janë vendndodhja dhe modeli më i mirë i cili bën të mundur që të evidentohet dhe të ndiqet më tej si rast.
Në mbështetje të fëmijëve, vajzave dhe grave viktima të dhunës seksuale, aktualisht funksionojnë tre qendra të tilla të specializuara, në QSUNT-së, në Spitalin Rajonal Fier dhe një qendër pranë Spitalit Rajonal Shkodër të cilat ofrojnë shërbime urgjence 24/7 në një mjedis miqësor dhe të sigurt nga profesionistë si pediatër, psikologë dhe punonjës socialë.
Qendra “Me një ndalesë” pranë Spitalit Rajonal Fier ka trajtuar gjithsej, deri më sot 50 fëmijë dhe 24 prindër jo abuzues të cilëve iu është ofruar ndihmë e drejtpërdrejtë bazuar në Planet Individuale të Mbrojtjes të zhvilluara në bashkëpunim me punonjësit e Mbrojtjes së Fëmijëve.
LEXONI GJITHASHTU:
- Mes luftës dhe krizës klimatike, UNICEF ngre alarmin për fëmijët në Sudan
- OBSH: Sa përqind e adoleshenteve shqiptare janë dhunuar nga partnerët e tyre