Një sërë incidentesh tragjike po ndodhin në Laos, ku 4 turistë të ndryshëm kanë ndërruar jetë brenda një jave si pasojë e helmimit.
19-vjeçarja australiane, Bianca Jones, është viktima e fundit e një helmimi të dyshuar me metanol. Familja e saj konfirmoi vdekjen të enjten. Po të njëjtën ditë, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se një shtetas amerikan kishte humbur jetën në qytetin turistik Vang Vieng. Gjithashtu, dy gra daneze, të moshës 19 dhe 20 vjeç, ndërruan jetë javën e kaluar në rrethana të ngjashme.
Vdekjet janë duke u hetuar nga autoritetet lokale, ndërsa dëshmitë dhe raportet sugjerojnë se mund të kenë konsumuar pije të kontaminuara me metanol, një substancë toksike që ndonjëherë përdoret në mënyrë të paligjshme në alkool. Të paktën dy persona të tjerë, përfshirë shoqen e Jones, Holly Bowles, po luftojnë për jetën në spital.
BBC shkruan se shoqja e 19-vjeçares australiane ndodhet në kujdes intensiv në Spitalin e Bangkok.
Kryeministri australian, Anthony Albanese, shprehu ngushëllimet e tij për familjen e Bianca Jones, duke e cilësuar situatën dhe një “makth që askush nuk duhet ta përjetojë.” Ai u shpreh optimist për shërimin e Bowles.
Autoritetet amerikane po mbajnë kontakte të ngushta me autoritetet lokale për të ndjekur hetimet. Shtetet perëndimore kanë paralajmëruar qytetarët e tyre për rrezikun e helmimit me metanol gjatë konsumimit të alkoolit në Laos, duke këshilluar kujdes maksimal.
LEXONI GJITHASHTU:
- Si ndodhi helmimi i turistëve polakë, 6 mln lekë gjobë anijes turistike
- Fëmijët polakë lënë urgjencën e Vlorës, gjendja nga helmimi e përmirësuar