Zëvendëskryeministri i Kosovës Avdullah Hoti është sulmuar ditën e sotme me vezë. Sipas dëshmive, personi që e ka sulmuar ka pasur si shkak heqjen e taksës 100% me Serbinë. Pas sulmit, Lidhja Demokratike e Kosovës e ka dënuar aktit si të ulët dhe të dëmshëm për proceset vendimmarrëse që po kalon Kosova.
“Është i papranueshëm kthimi i shoqërisë sonë në sulme të këtilla, njësoj si në vitet 2015-2016, me qëllim stagnimin dhe bllokimin e proceseve shtetformuese që i kemi ndërtuar në partneritet me miqtë tanë ndërkombëtar. Kosova ka nevojë për qetësi, maturi dhe unitet në politikbërje dhe udhëheqje të vendit”, thuhet në reagimin e LDK.
Vetë Avdullah Hoti, po në Facebook u shpreh se ky sulm është porositur nga ata që po mbajnë Kosovën të izoluar.
“Shtëpia pa miq nuk mbahet. Qeveria e re, me LDK-në brenda si partner kyç, nuk bënë kompromis me miqësinë me SHBA-në. Ne nuk do të lejojmë që raportet me miqtë tanë të nëpërkëmbën për interesa elektorale. Ne jemi të vendosur t`i japim vendit zgjidhje, bashkë me miqtë tanë”, shkruan z. Hoti.