Kapja e infeksionit HIV në stadet e avancuara iu ka kushtuar jetën shumë personave në vitin 2024.
Drejtoresha ekzekutive e Shoqatës së personave me HIV, Olimbi Hoxhaj, jep alarmin se shqiptarët ende nuk janë të ndërgjegjësuar mbi rreziqet që ju kanosen nga marrëdhëniet seksuale të pambrojtura dhe testimin që duhet të bëjnë kur kanë kryer sjellje risku.
“Vazhdojmë të kemi probleme me diagnozën e vonë dhe 50% e rasteve që kaluan në fatalitet ishin të sapodiagnostikuar, pra në momentin që ata diagnostikohen”, thotë Hoxha.
Në shërbimin infektiv janë të regjistruar mbi 900 persona HIV pozitiv të cilët janë futur në skemat e mjekimit, por ata ankohen që shpesh janë drejtuar shërbimit privat për disa analiza.
“Ne kemi pasur mungesë të diagnozës për ngarkesën virale dhe testin e rezistencës, i cili ka funksionuar por jo gjithmonë. Ne kemi pasur raportime nga rastet e reja që janë drejtuar për diagnozën e HIV në klinika private”, shpjegon ajo.
Sipas Shoqatës së personave me HIV, analiza e ngarkesës virale në sistemin privat mund të shkojë deri në 30 mijë lekë, kosto e papërballueshme për pacientin.
Hoxhaj thotë se problemi ka nisur nga viti 2019, kur shërbimi i laboratorit i kaloi koncensionarit dhe analiza e ngarkesës virale nuk u përfshi në marrëveshje.