English

Holanda e vendosur te kushtet: Të plotësohen para mbajtjes së Konferencës Ndërqeveritare

KOMENTE

SHPERNDAJE
ARTIKULLIN

Text sizeAa Aa

Pasi vendet e BE-së njoftuan se arritën një marrëveshje politike për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Ministri i Jashtëm holandez, Stefan Blok, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në një konferencë për shtyp.

- Advertisement -

Blok tha se Holanda i njeh përparimet që ka bërë Shqipëria, por që këto përparime të vazhdojnë të jenë të qëndrueshme, vendi ynë duhet të plotësojë disa parakushte në lidhje me rendin ligjor dhe luftën ndaj korrupsionit, që përpara mbajtjes së Konferencës Ndërqeveritare.

“Ramë dakord për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Për sa i përket Shqipërisë, ramë dakord për disa parakushte që duhet të plotësohen para se të mbahet  Konferenca Ndërqeveritare. Këto parakushte janë për disa shqetësime në lidhje me rendin ligjor dhe luftën kundër korrupsionit, të cilat kanë qenë gjithnjë në krye të shqetësimeve holandeze për zhvillimet në Shqipëri. Duhet të pranojmë faktin që Shqipëria ka bërë përparime, por në të njëjtën kohë mendojmë se këto parakushte duhet të plotësohen para mbajtjes së Konferencës Ndërqeveritare”, tha Blok.

Ndërsa për Maqedoninë e Veriut, Holanda nuk ka asnjë kërkesë për parakushte që duhen përmbushur para mbajtjes së Konferencës Ndërqeveritare.

“Për sa i përket Maqedonisë së Veriut, i lëvdojmë gjithashtu për përparimin. Nuk do të ketë parakushte për Maqedoninë e Veriut para Konferencës Ndërqeveritare. Por sigurisht, duhet të vazhdojnë të tregojnë përparime që të përmbushet me sukses procedura e anëtarësimit.

Kur u pyet nga gazetari i “Politico” nëse ky vendim i qeverisë holandeze mund të haste pengesë nga deputetët në parlament, Blok tha se deputetët kanë pasur kohë të informohen me pyetje-përgjigje dhe se vendimi nuk u vjen i papritur. Ai theksoi edhe një herë se ua bëri të qartë deputetëve që gjithsesi, Shqipëria duhet të ketë përmbushur parakushtet para mbledhjes të Konferencës Ndërqeveritare.

“E kemi njoftuar parlamentin për vendimin. Gjithsesi, në lidhje me Shqipërinë do të ketë vetëm një numër parakushtesh që duhen përmbushur. Në ditët e fundit (deputetët holandezë) kanë pasur mundësinë të bëjnë pyetje me shkrim, dhe i kanë bërë. Dhe ne u jemi përgjigjur. Pra, kjo nuk u ka ardhur si surprizë. Dhe për shkak të procedurës, që duhen plotësuar disa parakushte para Konferencës, qeveria dhe parlamenti holandez do të kenë mundësinë të gjykojnë nëse do të ndodhë me të vërtetë përparimi që shpresonim të shihnim në Shqipëri”, tha Blok.

Gazetarja e “The Guardian” kërkoi më shumë detaje në lidhje me parakushtet që Holanda pret të përmbushen nga Shqipëria, si dhe pyeti nëse ka gjasa që të vonohet mbajtja e Konferencës Ndërqeveritare për shkak të situatës me coronavirusin. Blok u përgjigj që plotësimi kushteve është mëse i rëndësishëm, si dhe duhet të merren parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias.

“Për mua, është thelbësore që të plotësohen këto kushte. Nuk mund të jap përgjigje për një kohë të saktë se kur do të mbahet. Sigurisht, shpresoj që përparimin ta shohim sa më shpejt të jetë e mundur. Por përparimi do ta mundësojë hapjen e negociatave. Parakushtet kanë lidhje me përmirësimin e mëtejshëm të gjyqësorit, me përfundimin e procesit të Vetingut, me krijimin e Gjykatës Kushtetuese, duke pasur parasysh edhe këshillën e Komisionit të Venecias. Gjithashtu mendojmë se duhet marrë parasysh rekomandimi i Komisionit të Venecias për sa i përket lirisë së medias dhe procedurës së votimit”, deklaroi Blok.

Ministri i jashtëm holandez theksoi edhe një herë rëndësinë e të pasurit rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit, me raste dënimesh të zyrtarëve të lartë që akuzohen për korrupsion.

“Është shumë e rëndësishme që për sa i përket luftës kundër korrupsionit të shohim dënime të zyrtarëve të lartë që janë shpallur fajtorë për korrupsion. Pra, duhet të ketë raste dënimesh. Të gjitha këto janë kushtet në lidhje me rendin ligjor dhe luftën kundër korrupsionit që duhet të jenë të vlefshme për të gjitha vendet europiane, për shkak të situatës në të cilën ndodhet Shqipëria. Duhet t’i lëvdoj për përparimin që kanë bërë, pasi është e drejtë të thuhet që ka pasur përparim. Por për shkak të situatës në Shqipëri, duam që ky përparim të vazhdojë në mënyrë të qëndrueshme, dhe të vërtetohet para se të mbahet Konferenca Ndërqeveritare”, përfundoi Blok.

Etiketimet

TË FUNDIT

Sondazh

Altin Dumani paraqiti raportin e Prokurorisë së Posaçme, si e vlerësoni punën e SPAK për vitin 2023?
×