Familjare, miq , artdashës dhe qytetarë të Kosovës morën pjesë në homazhet për bilbilin e këngës shqipe.
Nazlie Beadini, e cila drejton korin “Nexhmije Pagarusha”, e konsideron humbje të madhe për të gjithë komunitetin artistik dhe popullin shqiptar, shkruan KosovaPress.
“Vërtetë një humbje e madhe, jo vetëm për ne që mbajmë emrin e bilbilit të Kosovës, Nexhmije Pagarusha, por është një humbje e madhe besoj për të gjithë komunitetin artistik dhe për gjithë popullin shqiptar, sepse jam e bindur që nuk do të ketë zëvendësim.
Ne sot, kori me emrin Nexhmije Pagarusha, urojmë paqen mbi të, por dhe këtë emër qe ajo na e dha me shumë dashuri e me shumë vullnet ne do ta ruajmë dhe do ta çmojmë këngën shqipe, ky ishte amanet i saj që ne të vazhdojmë punën tonë dhe ta ruajmë këngën shqipe”, tha Nazlie Beadini, drejtuese e korit “Nexhmije Pagarusha”.
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në nderim të jetës dhe veprës së artistes së madhe, Nexhmije Pagarusha, ditën e varrimit të saj, 9 shkurt e ka shpallur dite zie ne Kosove.
Bilbili i këngës shqipe ndërroi jetë në moshën 86-vjeçare.
Pagarusha, la prapa një karrierë jashtëzakonisht të pasur artistike, 40-vjeçare, me shumë kryevepra të muzikës popullore, por edhe në aktrim. Më 2012, ikonës se muzikës shqipe iu dha dekorata “Nderi i Kombit” nga presidenti i Shqipërisë.