Hong-Kongu ka mbyllur pothuajse të gjithë kufijtë me Kinën këtë të hënë për të shmangur sa është e mundur përhapjen e coronavirusit teksa numri i të vdekurve u rrit në 360.
Udhëheqësi i qytetit, Carrie Lam tha se vetëm dy pika kontrolli do të mbeten të hapura, dhe mohoi që masa të vinte pas presionit nga mjekët, që kërcënuan një grevë pesëditore nëse kufiri me Kinën nuk mbyllet.
Turqia u bë shteti i fundit që anuloi të gjitha fluturimet nga dhe në Kinë.
Ndërkohë, testet ndaj 20 personave që mbërritën në Francë, pasi u evakuuan nga Kina, rezultuan negative ndaj virusit.
Në total, 254 shtetas evropianë mbërritën në Francë të dielën nga qyteti kinez i Wuhan, aty ku virusi vdekjeprurës u konstatua për herë të parë. Ata janë tashmë në karantinë në Francë ose kanë udhëtuar drejt vendeve të tyre.
Kina ndërtoi në një kohë rekord prej 10 ditësh spitalin e parë me kapacitet 1000 shtretër, ku do të kurohen të prekurit nga coronavirusi, ndërkohë që një tjetër spital me 1500 shtretër pritet të hapet së shpejti.