Oficeri i Policisë, Arben Cara që ka humbur 7 familjarë, ka rrëfyer momentet e vështira që ka kaluar nga shembja e pallatit ku jetonin i afërmi dhe nëna e tij. Cara tregon se, i afërmi i tij ende nuk dihet nëse do të mund të ecë sërish, kurse për gruan e tij tha se ndodhet e shtruar në spital psikiatrik për shkak se nuk po e përballon dot këtë situatë.
“Gjendja e Albertit paraqitet e mirë, por ka probleme serioze me shtyllën kurrizore dhe nuk e dimë nëse do të ngrihet apo do të mbetet me karrocë. Ndërsa Lindita ndodhet keq në gjendje psikologjike. Alberti e ka mësuar që ka humbur të gjithë pjesëtarët e familjes, kurse Lindita nuk e ka kaluar këtë pjesë dhe ndodhet në Spitalin Psikiatrik në Tiranë”, u shpreh z. Cara.
Duke folur për reagimin e strukturave pas tërmetit, Cara thotë se, nuk ishin perfektë, por strukturat e shtetit kanë funksionuar. “Ka qenë shumë e vështirë kur shikonim njerëz të gjallë nën rrënoja dhe na duhej të ndërhynim sa më shpejt për ti nxjerr. Grupet e Shqipërisë nuk ishin përballur ndonjëherë me tërmete të kësaj natyre, pasi që prej vitit 1979 nuk ka pasur tërmete të kësaj natyre. Nuk ishte perfekt, por strukturat e shtetit kanë funksionuar. Kam qenë personalisht në grupet e kërkim shpëtimit në Durrës, në hotel Palma dhe më pas ka shkuar në zonën e Thumanës. Grup shpëtimet e vendeve të tjera na ndihmuan me pajisjes speciale”, rrëfeu oficeri.
Ndërsa Luljeta Bozo, profesoreshë e Inxhinierisë thotë se, pallati ku ndodhi tragjedia në Thumanë ishte shpallur i pabanuar pas tërmetit të 21 shtatorit, por kjo nuk është shoqëruar me masa për të evakuuar banorët.
“Pallati i Thumanës kishte pësuar dëmtime më 21 shtator dhe ishte shpallur i pabanuar. Mirëpo kjo shpallje nuk është shoqëruar me masë tjetër për të evakuuar banorët. Nuk bën vaki që sa do e vjetër të jetë godina të pësoi kolaps menjëherë”, tha znj. Bozo.
Profesoresha e Inxhinierisë më tej tha se, për ndërtimet gjatë viteve të fundit është anashkaluar roli i inxhinierit. “Ne kemi inxhinierë shumë të mirë, për një periudhë të gjatë kohore u anashkalua roli i inxhinierit ndërkohë që ndërtimi lidhet me gjithë fushat e tjera të zhvillimit. Po luftojmë të hartojmë disa rregulla t’i fusim në binar. Kanë munguar disa hallka që nuk punojnë pa njëra-tjetrën.