Me një akt normativ, qeveria ka miratuar sot paketën e shumëdiskutuar anti-KÇK. Kjo paketë do të sjellë ndryshime në ligjin anti-mafia, ligjin e Policisë së Shtetit, ligjin për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe konfiskuara si dhe Kodin Penal.
Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj sqaroi detaje të kësaj pakete.
“Akti thelbësor i paketës anti-KÇK të miratuar sot nga qeveria shqiptare, është akt normativ i cili hyn në fuqi menjëherë dhe ka të bëjë me pasurinë e atyre që janë dënuar për krim të organizuar, pjesëmarrje në organizata kriminale, në çdo grup tjetër kriminal dhe terrorist, apo trafiqe dhe krime të tjera të rënda”, – u shpreh ministrja.
Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë, ndërsa brenda 45 ditësh, është parlamenti ai që duhet të shprehet nëse do ta kthejë në ligj, apo do ta rrëzojë këtë vendim të qeverisë.
“Ne duhet të ndërhyjmë me një Ligj special kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit dhe të gjithë normën e ligjit antimafia ta kalojmë në kurriz të subjekteve të këtij ligji, të tyre dhe familjarëve të tyre. Dhe gjithkush nga këta duhet të provojë përpara gjykatës që shtëpinë, makinën, biznesin i ka si rezultat i punës”, – u shpreh kryeministri Edi Rama pak kohë më parë, kur prezantoi paketën anti-KÇK.
PD kundër paketës, Gazment Bardhi: Do të dështojë, po ashtu si “Forca e ligjit”
Për Partinë Demokratike kjo paketë ligjore do të dështojë po ashtu si ‘’forca e ligjit”. Sekretari i Përgjithshëm, Gazmend Bardhi deklaroi se asnjë nismë nuk mund të ketë sukses për sa kohë vazhdon lidhja e politikës me krimin.
‘’Me Edi Ramën kanë dalë jashtë burgut kriminelët më të rrezikshëm. Me Edi Ramën, Shqipëria është shndërruar në bazë operacionale për krimin e organizuar’’, – shkruan Bardhi, duke nënvizuar se në vendin tonë ka bashkëqeverisje me krimin dhe propagandë.