Operacioni Forca e Ligjit u ka dërguar kërkesë për vetë deklarimin e pasurisë dy personave të dënuar për trafik droge dhe një tjetër i dënuar për vrasje.
Emri më i përfolur është Mond Bega, banues në Tiranë, dënuar në Itali me 11 vjet burg, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikim droge”.
Dy të tjerët janë Eduart Nazari, banues në Berat, arrestuar në vitin 2013, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim dhe Gentian Çako, banues në Berat, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë, me 20 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese, e kryer në bashkëpunim”.
Të tre këta persona, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL ka nisur aksionin për bllokimin e pronave të personave të përfshirë në krime të rënda që prej miratimit ta Aktit Normativ në fund të janarit, të njohur ndryshe si paketa anti-KÇK.
Opozita ka akuzuar shpreh herë se Bega është mik i kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Njohja me të dënuarin për trafik droge është pranuar dhe nga vetë Balla në deklaratat publike.