Parku Natyror i lumit Vjosë, pjesë e të cilit është edhe lumi Drino, falë biodiversitetit si dhe resurseve të shumta po tërheq vëmendjen e organizmave kombëtarë dhe ndërkombëtare.
I cilësuar si lumi i fundit i egër në Evropë, Parku Natyror i Vjosës përfshin potenciale të rëndësishme natyrore dhe ekoturistike, të cilët duhen mbrojtur dhe miradministruar.
“Ne kemi nisur siç e dini që prej një viti, një proces shumë të rëndësishëm të mbrojtjes së pari si Park Natyror dhe tani po e përgatisim si Park Kombëtar që është niveli me i lartë i mbrojtjes së një pasurie natyrore. Procesi është duke përfunduar në qeveri për të shpallur së shpejti Vjosën, Park Kombëtar. Jo vetëm kaq por jemi edhe në një tjetër proces ndërkufitar me Greqinë për të bërë një Park Natyror të tillë ndërkufitar”, tha Mirela Kumbaro, Ministre e Mjedisit.
Ndërsa Parku Natyror i Vjosës përfshin site të rëndësishme dhe vlera të trashëgimisë kulturore së fundi edhe UNESCO ka shprehur interes për t’i dhënë një status të veçantë, sipas standarteve ndërkombëtare, kësaj zone.
“Për të inicuar një proces të regjistrimit të Vjosës si biosferë, aq më tepër një biosferë ndërkombëtare bashkë me Greqinë. Sigurisht ky është një proces që fillon tani në formën e një ideje dhe që dhe do të ketë një procedurë shumë të gjatë siç normalisht parashikohet nga rregullat ndërkombëtare”, theksoi Kumbaro.
Lumi Vjosë buron në zonën kufitare midis Shqipërisë dhe Greqisë ndërsa përshkon rreth 70 kilometra në territorin grek për të vazhduar më pas me një gjatësi prej 210 kilometra në vendin tonë. Zonat që përshkon ky lumë kanë biodiversitet të larmishëm natyror dhe vlera të veçanta turistike.
LEXONI GJITHASHTU