Argëtim e gjallëri, mikpritje me buzëqeshje të pandarë në fytyrë, det dhe laguna, kulturë e trashëgimi, janë pasqyra e atyre që kanë shijuar “Udhëtarët” Loneta Progni dhe Renaldo Salianji në qytetin e Vlorës.
Por Vlora ofron akoma më shumë gjatë këtij sezoni turistik dhe në episodin e radhës “Udhëtarët”, vizitojnë artizanin Axhem Binaj e na tregojnë si ai krijon anijet me vela.
Të krijosh dhe ndërtosh një anije me vela nuk është e thjeshtë, por mjeshtri ndërton dy deri në tre të tilla në ditë. Krijimi i skicës, prerja me smeril, punimi me dorë, bërja e spirancës apo lyerja me bojë janë disa nga fazat që duhet të kalojë ndërtimi i një anije me vela.
Axhem Binja tregon se dëshira për të bërë këtë zanat i ka lindur kur punonte si peshkatar dhe ka filluar të punojë në vitin 1992. Mijëra anije që ka punuar në këto vite i ka shitur në Itali dhe Shqipëri, ndërsa anije më e madhe e ndërtuar është 4 metra e ndodhet në Durrës.
Me katalogët që gjenden të punishtja, ai tregon për “Udhëtarët” fotot e anijeve që ka ndërtuar duke filluar nga anija Çezar e deri te Liburna. Por anija e ndërtuar për një kapiten grek i sjell në mendje emocionet që kanë kapluar këtë të fundit kur e mori.
“Anija që kam ndërtuar për një kapiten grek ishte mbytur dhe ai më sjell një foto për ta punuar. Në momentin që vjen e merr anijen e përfunduar atij i mbushen sytë me lot,” rrëfen ai.
Por Vlora është e njohur edhe për kulinarinë, ku ndër pjatat më të veçanta është rizoto me karkaleca, një pjatë italiane të cilën e gatuan shef Fadili. E gatuar me karkaleca, ananas, oriz dhe e përzierë me erëza duke i dhënë një shije shumë të mirë.