Në mesazhet e brendshme, punonjësit e kompanisë Boing diskutojnë për shkelje të rregulloreve dhe probleme me simulatorët. Gjatë një bisede, njëri prej punonjësve i pohon kolegut të tij se nuk do të lejonte që familja e tij të udhëtonte me një avion 737 Max.
Kompania u shpreh se kjo deklaratë ngre pikëpyetje për ndërveprimin e Boingut me Administratën Federale të Aviacionit lidhur me certifikimin e simulatorëve, por shpreh bindjen se pajisjet punojnë si duhet.
“Komunikata të tilla nuk pasqyrojnë vlerat e kompanisë dhe atë që ne synojmë të jemi, prandaj i cilësojmë si plotësisht të papranueshme”, – thuhet në deklaratën e kompanisë Boing.
Punonjësit kanë përmendur edhe menaxherin e përgjithshëm të kompanisë dhe për pajisjet me kosto të ulët të përzgjedhura prej tij dhe për modelin MAX.
“Avioni është projektuar nga klounë, të cilët mbikëqyren nga majmunë”, – shkruante një punonjës.
Emrat e punonjësve të cilët kishin shkruar e-mailet janë fshirë.
Modeli MAX ka shkaktuar pakënaqësi që nga muaji mars, pas dy aksidenteve ajrore ku humbën jetën 346 persona.
Kompania Boeing po vazhdon të punojë për të përditësuar softuerët dhe pjesë të tjera në sistemin e modelit MAX, për të bindur organet përgjegjëse ta lejojnë të ngrihet sërish në fluturim. Megjithëkëtë, procesi ka zgjatur më shumë nga sa ishte parashikuar nga Boeing.
Dokumentet e brendshme të kompanisë së prodhimit të avionëve janë vënë në dispozicion të Administratës Federale të Aviacionit dhe të Kongresit muajin e shkuar dhe janë bërë publike të enjten. Kompania njoftoi se do të ndërmerrte masa disiplinore për disa prej punonjësve.