Një 75-vjeçar ka ndërruar jetë si pasojë e diegieve të marrrë në momentin që u mundua të shuante një zjarr që e kishte ndezur vetë.
Teksa ishte duke kullotur bagëtitë më datë 21 korrik, 75-vjeçari ndezi një zjarr, i cili u përhap me shpejtësi duke djegur një sipërfaqe të konsiderueshme toke.
Teksa u mundua të shuante flakët, i moshuari pësoi djegie të rënda që i morën dhe jetën.
Ai ndërroi jetë ditën e hënë, ndërkohë që lajmi u bë publik ditën e sotme nga policia.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, referuan materialet në Prokurori për vlerësim, pasi me datë 21.07.2024, shtetasi N.N., 75 vjeç, duke kullotur bagëtitë në fshatin Zall Shoshaj, ka ndezuar një zjarr ku për shkak të erës, zjarri është përhapur duke djegur një sipërfaqe toke me bimësi.
75-vjeçari, në përpjekje për të izoluar flakët e zjarrit ka pësuar djegie të shumta në trup, i cili ditën e djeshme ka humbur jetën në spital.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër apelon për të gjithë qytetarët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi vënë në rrezik jetën e tyre dhe të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e policisë.