Ndërkohë që ikja e mjekëve është kthyer në çështje dite në Shqipëri, ka shenja se qeveria po mundohet të reagojë. Gjatë ceremonisë së diplomimit të studentëve të Mjekësisë pasditen e djeshme në Tiranë ishte i pranishëm edhe Kryeministri, Edi Rama. Shefi i qeverisë shqiptare kërkoi fjalën para të gjithëve në ceremoninë e diplomimit të studentëve të mjekësisë.
Jo të gjithë buzëqeshën ndërkohë që Kryeministri Edi Rama u tregonte se sa e rëndësishme është veshja e bluzës së bardhë. Një student nga salla tha se është gati të presë biletën për t’u larguar, duke nënkuptuar se kushtet dhe vëmendja ndaj mjekëve shqiptarë nuk është ashtu siç pretendon kryeministri i vendit.
“Është një individ në shërbimin tuaj, që të filloni ushtrimin e profesionit sapo të hidhni kapelën. Merreni edhe jepini recetën e duhur”, iu përgjigj Rama studentit në sallë.
“Vendi i punës në shërbimin tonë publik shëndetësor është i garantuat sipas meritës, falë portalit të mjekëve për Shqipërinë, ashtu sikundër dhe për infermierët, ashtu sikundër dhe për mësuesit dhe kjo është arsyeja pse sot po të vizitosh qendrat shëndetësore që po rindërtohen gjen ata që dje dolën si më të mirët në këtë universitet dhe sot janë nën bluzën e bardhë në profesionin e tyre falë meritës së tyre dhe nuk duhet t’ia dinë për nder askujt veç vetes dhe prindërve të tyre”, theksoi z. Edi Rama.
Kryetari i qeverisë pas përplasjes në distancë me një prej studentëve vijoi t’i sigurojë mjekët e ardhshëm se për të hyrë në profesion nuk ka më nevojë tjetër përveç aftësisë. Zërave që thonë se mjekët lënë Shqipërinë se këtu nuk ka kushte, Kryeministri Rama u tregon se tashmë kanë marrë masa që t’u sigurohen kushte atyre që zgjedhin të punojnë në spitale larg venbanimeve të tyre.
“Po ashtu, sepse, jo më larg se sot, për koincidencë, ka pasur një tërësi lajmesh dhe komentesh mbi mjekët që kanë ikur nga Shqipëria, – dua të vë në pah faktin se ata që dalin sot nga Universiteti dhe duan të ushtrojnë profesionin e mjekut në Shqipëri, sikundër tanimë plot kolegë të tyre që janë në profesion dhe janë në Shqipëri dhe që kanë pranuar apo ata që do dëshirojnë dhe pranojnë të punojnë nga të pranishmit këtu të punojnë në spitale larg vendbanimit të tyre, veç pagës kanë dhe një bonus mujor që e bën shumën e përgjithshme të fundit të muajit të barabartë me të njëjtën shumë që do mund të mbanin për vete nëse do punonin mjekë në Gjermani pasi të paguanin të gjitha taksat që paguajnë mjekët atje. Ky është fakt dhe është një fakt, që, me siguri siç mund ta dëshmojnë ata që janë sot me shërbim në spitale të ndryshme, do ta dëshmojnë edhe ata që nga sot do të mund të punojnë në spitale larg vendbanimit të tyre.
Por, nuk është vetëm kaq, sepse, me siguri ministrja do t’ju thotë se ne po përgatisim edhe disa masa të tjera mbështetëse për të rritur mbrojtjen dhe për të dëshmuar respektin ndaj figurës së mjekut në Shqipëri nga pikëpamja e trajtimit financiar dhe e trajtimit të tyre me banesë”-tha Rama.
Janë parashikuar edhe masa të tjera mbështetëse për figurën e mjekut, të cilat i sqaroi ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.
“Nga bonuset për pagë, tek politikat e strehimit të lehtësuar, dhe deri tek lehtësimi i paketës fiskale për elemente të caktuara në punën e mjekëve”-tha Manastirliu.
Pas kësaj dite 1600 studentë të Universitetit të Mjekësisë janë kandidatët për të veshur bluzat e bardha në shëndetësinë shqiptare.