Policia e Kosovës ka njoftuar të premten pasdite se ka shtuar masat e sigurisë në Kosovë, përfshirë në zonën veriore të vendit, ku ditët e fundit kanë ndodhur “disa sulme apo incidente serioze kriminale”.
Sipas njoftimit, është paraparë që të shtohen aktivitetet policore, në mënyrë që të ofrohet më shumë siguri në mbarë vendin.
“Planifikimet operative policore do të fokusohen në rritjen e prezencës policore në terren, duke realizuar më shumë patrullime në zona më kritike, më shumë pika kontrolli dhe rritje të bashkëpunimit me qytetarët”, tha Policia e Kosovës.
Ky institucion tha se me shtimin e masave policore synohet të ruhet rendi e qetësia publike, të parandalohen aktet kriminale dhe të hetohen e vihen para drejtësisë “të gjitha ata që do të guxojnë të atakojnë sigurinë, ligjin dhe rendin kushtetues”.
“Qëllimi i operacioneve policore do të jetë siguria e qytetarëve, siguria e pronës së tyre e pronës publike dhe asaj institucionale”, tha Policia e Kosovës më 29 nëntor.
Në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, ditëve të fundit janë shënuar incidente me mjete shpërthyese.
Më 27 nëntor, autoritetet njoftuan se stacioni policor në Zveçan ishte sulmuar me dy granata dore. Përveç dëmeve materiale, nuk u raportua për të lënduar.
Ndërkaq, më 29 nëntor Policia bëri të ditur se është sulmuar me një mjet shpërthyes, që dyshohet të jetë granatë dore, edhe ndërtesa e Komunës së Zveçanit.
Ky incident është dënuar nga autoritetet shtetërore, teksa kryeministri Albin Kurti, i ka cilësuar sulmet e fundit si “akte kriminale dhe terroriste që kanë qëllim të ndjellin frikë”.
LEXONI GJITHASHTU:
- Presidentja e Kosovës feston me ushtarët amerikanë Ditën e Falenderimeve
- Presidentja e Kosovës feston me ushtarët amerikanë Ditën e Falenderimeve