Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka ndarë në profilin e saj në Facebook një foto ku shihet një infermiere shqiptare me emrin Pashke, që ndan gëzimin e festës së Pashkës me një pacient me COVID-19.
“Infermiere Pashke Topjana sot në këtë ditë Pashke është në shërbim të të sëmurëve me #covid19 në spitalin infektiv. Ajo ka dashur që të ndajë gëzimin e festës me pacientët që si Pashka, kanë shumë nevojë të ndjejnë ngrohtësinë familjare në këtë ditë të ringjalljes së shpresës”, shkruan znj. Manastirliu.
Ndërkohë, më herët ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se mes të shëruarve të sotëm nga COVID-19 janë edhe dy mjekë.
Shërimi i plotë edhe i 2 mjekëve në Tiranë të prekur nga #COVID19 është një lajm shpresëdhënës në këtë ditë simbol të triumfit të jetës. Shkon në 32 numri i personelit mjekësor të #shëruar nga COVID-19.
Deri tani janë 217 pacientë dhe staf mjekësor që e kanë fituar betejën me #COVID-19”, shkroi ministrja.