Demokratët në Shtetet e Bashkuara pritet të dërgojnë këtë të mërkurë në Senat akuzat për “inkriminimin” e shefit të shtëpisë së Bardhë, Donald Trump.
Më herët, demokratët, që kontrollojnë Kongresin, deklaruan se do të paraqesin prova të reja kur të nisë procesi në ngarkim të kreut të shtetit, që pa dyshim do të dominojë skenën politike të Uashingtonit për javë të tëra me radhë.
Demokratët bënë me dije se do të përfshijnë përgjime telefonike dhe dokumente të tjera të ofruara nga biznesmeni Lev Parnas në lidhje me çështjen e njohur si “Ukraina-gejt”.
Parnas ishte një ortak i avokatit personal të Trump, Rudi Xhuliani, i cili pretendon se biznesmeni me origjinë ukrainase e ndihmoi të hetonte rivalin politik Xho Bajden dhe të birin.
Përfshirja e përgjimeve të Parnas, që u vunë në dispozicion të hetuesve vetëm ditët e fundit, sugjeron se demokratët po përpiqen të forcojnë pozicionin e tyre në prag të gjyqit që do të nisë në Senat muajin e ardhshëm.
Trump u bë presidenti i tretë që inkriminohet kur Kongresi i dominuar nga demokratët miratoi muajin e kaluar akuzat për abuzim me pushtetin dhe pengim të hetimeve të Kongresit.
Më parë në Dhomën e Përfaqësuesve do të mbahet një votim për dërgimin e akuzave në Senatin e kontrolluar nga republikanët, votim që pritet të kalojë pa ndonjë problem. Më pas, në 17 me orën lokale dhe 23 me orën tonë demokratët do të shkojnë në Senat, saktësoi kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nensi Pelozi.