14 nëntor – Impeachment
Inkriminimi i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ishte pa dyshim ngjarja më epike e vitit 2019. Dhoma e Përfaqësuesve e hetoi kreun e shtetit dhe në fund miratoi dy nenet që i hapin rrugë gjykimit të tij në Senat. Por si u arrit deri këtu?
Faktikisht, zoti Trump është presidenti i tretë amerikan që përballet me kërcënimin për të braktisur postin për shkak të procesit për shkarkimin e tij.
Ai akuzohet se mbajti peng thuajse 400 milionë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën për t’i bërë presion presidentit Volodimir Zelenskij, në mënyrë që ky i fundit të urdhëronte hapjen e një hetimi mbi rivalin demokrat për president në zgjedhjet e 2020-s, Xho Bajden dhe të birit Hanter.
Nga ana e tij, Trump mohon të ketë bërë ndonjë shkelje, por historia është e komplikuar.
Inkriminimi i Trump, nga biseda telefonike kompromentuese tek procesi për shkarkim
Në prill 2019, një komedian pa eksperiencë politike, Volodimir Zelenskij zgjidhet president i Ukrainës. Vendi ka qenë në konflikt me Rusinë që prej aneksimit të gadishullit jugor të Krimesë në vitin 2014 dhe që prej atëherë është në luftë me separatistët pro rusë në lindje.
Por do të ishte muajin e ardhshëm, më 23 maj, kur Trump do të mblidhte në Shtëpinë e Bardhë ata që i quante tre miqtë e tij, ambasadorin amerikan në BE, Gordon Sondlend, sekretarin për Energjinë Rik Perri dhe të dërguarin e posaçëm në Kiev, Kurt Volker. Të tre ata sapo ishin kthyer nga përurimi i Zelenskit dhe kërkonin nga Trump që t’i telefononte, t’i ofronte mbështetje dhe të organizonte një takim me të. Por presidenti, sipas dëshmive, u shpreh skeptik mbi vullnetin e Ukrainës për të luftuar korrupsionin dhe u sugjeroi ukrainasve që t’i drejtohen avokatit të tij Rudi Xhuliani. Këtu nisi gjithçka. Zyrtarëve ukrainas iu komunikua interesi i Uashingtonit për të hetuar Bajden dhe të birin për bizneset e tyre në Ukrainë.
Më 10 korrik, ambasadori Sondlend u tha dy këshilltarëve të Zelenskit gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë se hetimet duhet të vazhdonin. Ekspertja për sigurinë kombëtare, Fiona Hill do t’ia tregonte bisedën e zhvilluar këshilltarit të Trump, Xhon Bolton, i cili kur u informua tha se nuk dëshironte të bëhej pjesë e asaj që e quajti një “pazar droge”. Madje, ai i bëri thirrje Hill që ta raportonte bisedën e zhvilluar tek avokatët e Shtëpisë së Bardhë.
8 ditë më vonë, ndihma ushtarake e aprovuar nga Kongresi për Ukrainën bllokohet. Arsyet për këtë lëvizje do të merreshin vesh më vonë.
Sidoqoftë, do të ishte më 25 korrik që e ashtuquajtura Ukraina-gejt do të arrinte kulmin e saj. Presidentët Trump dhe Zelenski zhvilluan një bisedë telefonike që më vonë do të kthehej në pikën kyçe të hetimit të demokratëve. Sikurse do të thuhej dhe në transkriptimin e publikuar nga vetë Shtëpia e Bardhë, Trump i kërkoi homologut që të hetonte Bajden dhe të birin Hanter, që ishte anëtar bordi i një kompanie gazi në Ukrainë.
Një ditë më vonë, sërish Trump do të pyeste për hetimet mbi Bajden në një bisedë telefonike të dëgjuar nga Bill Tejlor, ambasadori në detyrë i Shteteve të Bashkuara në Ukrainë. Zoti Sondlend, që i përgjigjet telefonatës, u thotë anëtarëve të stafit të tij që presidenti është më i interesuar për Bajden dhe të birin se sa për Ukrainën. Këtu filloi dhe dalja e situatës nga kontrolli, por telashet e vërteta për presidentin e Shteteve të Bashkuara do të vinin muajin e ardhshëm.
Më 12 gusht, një oficer i CIA-s që mësoi për telefonatën dorëzoi një ankesë pranë organit që kontrollon komunitetin e inteligjencës, ose inspektorati i përgjithshëm. Më vonë gjatë të njëjtit muaj, Trump do të njihej zyrtarisht për ankesën.
Përmasat e çështjes do të zgjeroheshin dhe demokratët, që kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, do të fillonin të kërkonin informacione mbi ankesën e depozituar nga informatori. Vetë Trump do të detyrohej të pranonte ekzistencën e telefonatës, por do të thoshte se gjatë saj ishte folur për korrupsionin. Por kjo nuk do të mjaftonte. Më 24 shtator, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nensi Pelozi do t’i jepte jetë procesit hetimor në Kongres në dëm të shefit të Shtëpisë së Bardhë.
E gjendur nën presion, Dhoma Ovale do të publikonte një transkriptim të bisedës së zhvilluar në korrik, por ajo nuk do të ishte asgjë përpara publikimit të ankesës së informatorit, që thoshte se zoti Trump përdori pushtetin e zyrës së tij për të kërkuar krahas hetimit të familjes Bajden edhe ndërhyrjen e një shteti të huaj në zgjedhjet presidenciale të 2020-s.
Në tetor, tre komisione parlamentare të Kongresit, ai i inteligjencës, i mbikëqyrjes dhe i punëve të jashtme depozituan dëshmi nga një seri zyrtarësh, mes të cilëve ambasadori amerikan në Ukrainë, Bill Tejlor; Laura Kuper, përgjegjëse pranë Pentagonit për mbikëqyrjen e marrëdhënieve SHBA-Ukrainë; dhe ish-anëtaren e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Fiona Hill. Të tre ata deklaruan se besonin se presidenti Trump donte që Zelenski të njoftonte publikisht hetimin e Bajden dhe të birit, si dhe për një ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2016 që nuk kishte ndodhur kurrë.
Por përpjekjet e Kongresit për të hedhur dritë mbi aferën do të minoheshin nga një letër që këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Pat Çipolone do t’i dërgonte kryetares Nensi Pelozi, ku thuhej se selia presidenciale nuk do të bashkëpunonte me hetimin për shkak të shqetësimit se në Dhomën e Përfaqësuesve nuk kishte patur ende një votë të plotë për këtë proces dhe nga frika se marrja në pyetje e dëshmitarëve do të ndodhte në mënyrë private.
Megjithatë, telashet do të vinin njëri pas tjetrit. Më 17 tetor, shefi i personelit në Shtëpinë e Bardhë, Mik Malvenej, duke iu përgjigjur interesit të medias nëse mes Trump dhe Zelenskij kishte patur një quid pro quo, ose një lloj shkëmbimi favoresh, do të thoshte: “Është diçka që e bëjmë gjatë gjithë kohës në politikën e jashtme. Bëni mirë ta kuptoni”. Por ai do ta tërhiqte deklaratën të njëjtën ditë, duke thënë vetëm pak orë më vonë se nuk kishte pasur një quid pro quo dhe se presidenti e kishte bllokuar ndihmën për Ukrainën nga frika e korrupsionit.
Të ndodhur nën presion, të tjerë do të bënin deklarata kompromentuese për presidentin. Ambasadori në detyrë në Ukrainë, Bill Tejlor u tha hetuesve të Kongresit se kishte pasur një lidhje mes ndihmës ushtarake dhe hetimit të Bajden.
Republikanët do të kontestonin dëshmitë e bëra me argumentin se ishin dhënë me dyer të mbyllura, por demokratët nuk do të ndaleshin dhe në fund të tetorit aprovuan rezolutën që formalizonte procesin hetimor dhe seancat dëgjimore i bënte publike.
Seancat me dyer të hapura nisën më 13 nëntor. Përpara komitetit të inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve dëshmuan dy diplomatë karriere.
Ambasadori William Taylor u tregua më i prerë, duke e lidhur Trump në mënyrë më direkte se më parë me presionin e bërë ndaj Ukrainës për të kryer hetime që do të ishin në përfitim të tij.
“Pas telefonatës me presidentin Trump, anëtarët e stafit tim pyetën ambasadorin Sondlend se çfarë mendonte Trump për Ukrainën. Sondlend u përgjigj se, presidenti është më shumë i interesuar për hetimet mbi Bajden, për të cilat avokati i tij Rudi Xhuliani po bënte presion”, tha William Taylor, ambasadori amerikan në Ukrainë.
Më i moderuar u tregua Xhorxh Kent, zëvendës ndihmës sekretar i Shtetit.
“Në parim mendoj se Shtetet e Bashkuara nuk duhet t’u kërkojnë vendeve të tjera të angazhohen në hetime selektive dhe të motivuara politikisht, sepse veprime të tilla minojnë sundimin e ligjit pavarësisht se për cilin vend bëhet fjalë”, tha Kent.
Ndërkohë, strategjia e republikanëve ishte që të ulnin figurën e diplomatëve dhe t’i hidhnin poshtë provat e tyre duke i cilësuar thashetheme.
“Ne supozohet t’i marrim të mirëqëna deklaratat e këtyre njerëzve në një kohë kur ata flasin vetëm me dyshime. Por cilido që është familjar me luftën e demokratëve kundër presidentit Trump nuk duhet të habitet që kjo është vetëm një fushatë e pistë mediatike kundër tij”, theksoi Devin Nunes, ligjvënës republikan nga Kalifornia.
Vetë presidenti Trump e cilësoi hetimin një rreng dhe një gjueti shtrigash dhe mohoi çdo shkelje.
Pak ditë më vonë do të ishte radha e personave që kishin asistuar në bisedën telefonike të kreut të shtetit, që i bënte thirrje homologut ukrainas të hetonte rivalin politik të tij.
“Telefonata e 25 korrikut mu duk e pazakontë, pasi ndryshe nga bisedat e tjera mes presidentëve që kisha dëgjuar, përfshinte diskutimin e një çështjeje politike të brendshme”, tha Jennifer Williams, asistente e zëvendëspresidentit Mike Pence.
“Mbeta i shqetësuar nga telefonata. Ajo që dëgjova ishte e papërshtatshme dhe i raportova shqetësimet e mia. Nuk është e përshtatshme për presidentin e Shteteve të Bashkuara që t’i kërkojë një qeverie të huaj të hetojë një shtetas amerikan, rival politik”, u shpreh Alexander Vindman, nënkolonel, ekspert për Ukrainën.
Ndërsa Kurt Volker, një ish-diplomat që ishte përfshirë në bisedimet për t’i kërkuar presidentit ukrainas Volodimir Zelenskij që të hetonte korrupsionin, do të thoshte se nuk e dinte nëse bëhej fjalë për një kërkesë për të hetuar ish-zv. presidentin Xho Bajden.
“Tani e kuptoj se të tjerët e panë idenë për të hetuar korrupsionin eventual tek kompania ukrainase “Burisma” si një kërkesë për të hetuar ish-zv. presidentin Bajden. Ata ishin të ndarë për këtë ide. Disa e cilësonin të papërshtatshme, të tjerë të papranueshme”, u shpreh Volker.
Ndërkohë, presidenti Donald Trump, që mohonte çdo shkelje, sulmoi sërish seancat dëgjimore në procesin hetimor.
“Aktualisht kemi një gjykatë kangurësh, të udhëhequr nga një kalama, ku ne nuk kemi avokatë, nuk kemi dëshmitarë, nuk kemi asgjë. Dhe sërish, shoh që republikanët po i dalin për zot. Po bëjnë një punë të mirë. Gjithçka është një mashtrim, një mashtrim i madh”, theksoi presidenti Trump.
Trump do të insistonte edhe disa ditë më vonë se nuk dëshironte asgjë nga Ukraina dhe do të deklaronte se seancave hetimore në ngarkim të tij u duhej dhënë fund.
Reagimi i tij erdhi pas dëshmisë së një diplomati, që konfirmoi se Trump i kishte kërkuar liderit ukrainas hetimin e rivalit politik në këmbim të një vizite në Shtëpinë e Bardhë.
“I them ambasadorit se unë nuk dua asgjë, asgjë dhe asgjë. I thoni edhe presidentit Zelenskij të bëjë gjënë e duhur. Përgjigjia ime është kjo: unë nuk dua asgjë, asgjë dhe asnjë kuid pro kuo”, deklaroi Trump.
Sidoqoftë, shumë e panë dëshminë e ambasadorit amerikan në BE, Gordon Sondlend si më domethënësen në procesin e seancave dëgjimore.
Ai jo vetëm që i tha komisionit hetimor se kishte zbatuar urdhërat e Trump për të ushtruar presion ndaj Ukrainës për të hetuar Xho Bajden, por gjithashtu zgjeroi përfshirjen.
“A kishte një kuid pro kuo? Sikurse dëshmova më parë në lidhje me kërkesën e Shtëpisë së Bardhë për një telefonatë me liderin ukrainas, përgjigjja është po. Nuk është sekret. Të gjithë u informuan me email më 19 korrik, disa ditë para telefonatës”, tha Gordon Sondland, ambasadori amerikan në BE.
Me “të gjithë” ambasadori i referohej avokatit të Trump, Rudi Xhuliani, sekretarit të Shtetit Majk Pompeo dhe ish-këshilltarit për sigurinë kombëtare Xhon Bolton.
Të gjithë personat e përmendur nga Sondlend ose refuzuan të bënin komente, ose mohuan akuzat.
Dhjetori do të shënonte lëvizjen e radhës të Trump, presioni ndaj të cilit po rritej. Shtëpia e Bardhë do të njoftonte ligjvënësit demokratë se presidenti nuk do të paraqitej në seancën dëgjimore për hetimin e tij. Në njoftimin e saj, selia presidenciale citonte si motiv të këtij vendimi atë që e quante “mungesa e ndershmërisë” në procesin hetimor ndaj kreut të shtetit.
“Ne nuk mund të marrim pjesë në një seancë kur dëshmitarët nuk janë identifikuar ende dhe kur mbetet e paqartë nëse komisioni gjyqësor do t’i lejojë presidentit një proces të drejtë përmes seancave shtesë”, deklaroi këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Pat Çipolone në një letër dërguar kryetarit të komisionit gjyqësor, Xherold Nedllër.
Por të njëjtin muaj, demokratët do të publikonin raportin mbi skandalin urkainas, përmes të cilit akuzonin direkt presidentin Trump se kishte abuzuar me pushtetin për qëllime politike personale.
Në raportin me 300 faqe të hartuar nga komisioni i inteligjencës së Kongresit zyrtarisht thuhej se Trump kishte kërkuar ndërhyrje të huaj për të rritur shanset për rizgjedhjen e tij, kishte cënuar sigurinë kombëtare dhe kishte urdhëruar një fushatë të pashembullt për të penguar Kongresin.
Pas publikimit, kryetari i komisionit të inteligjencës Adam Schiff do të deklaronte.
“Një nga pikat ku jemi fokusuar aktualisht është, a kishte filluar kjo skemë më herët nga sa e morëm vesh ne? A ishte organizuar kjo skemë për të ushtruar presion mbi presidentin e mëparshëm ukrainas Poroshenko?”, tha Schiff.
Trump shpërtheu menjëherë ndaj Schiff duke e quajtur atë një “të çmendur”, ndërsa republikanët e tij e cilësuan raportin një mashtrim që nuk përmbante asnjë provë.
“Pavarësisht faktit se kryetarja e Kongresit foli për prova, nëse duhet të lëvizim përpara me hetimin duhet të jemi të qartë, imponues dhe dypartiakë. Demokratët nuk përmbushin asnjë nga këto kritere” u shpreh Liz Cheney, ligjvënëse republikane.
Por raporti, i hartuar për të shtruar terrenin mbi çështjen e shkarkimit të Trump do t’i dorëzohej Komisionit të çështjeve gjyqësore, që do të shqyrtonte ngritjen e akuzave ndaj presidentit.
Do të ishte më 6 dhjetor dita kur demokratët do të ndërmerrnin hapin e radhës, në mos më të rëndësishmin, në procesin hetimor. Ata udhëzuan komisionin për çështjet gjyqësore që të përgatiste procedimin e presidentit.
“Faktet janë të pakontestueshme. Presidenti abuzoi me pushtetin e tij për përfitime politike personale në dëm të sigurisë sonë kombëtare, duke bllokuar ndihmën ushtarake dhe një takim të rëndësishëm në Dhommën Ovale në këmbim të njoftimit për hetimin e rivalit të tij politik”, deklaroi Nancy Pelosi, kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve,
Më pas ishte radha e publikimit të dy neneve për procedimin e mëtejshëm të Trump. Nenet kishin të bënin me abuzimin me pushtetin dhe pengimin e Kongresit.
Xherri Nedllër, kryetari demokrat i komisionit gjyqësor, e mbylli seancën dëgjimore të radhës me një dënim të veprimit të Trump që i kërkonte ndihmë Ukrainës kundër rivalit demokrat në zgjedhjet e 2020-s, Xho Bajden.
“U bëj të qartë anëtarëve të komisionit, atyre të Dhomës së Përfaqësuesve dhe qytetarëve se në lojë është integriteti i zgjedhjeve, ndaj nuk ka gjë më urgjente”, tha Jerry Nadler, kryetar i komisionit gjyqësor.
Nga ana tjetër, Trump reagoi ashpër për lëvizjen.
“Është një fatkeqësi. Është një turp për vendin tonë. Është një rreng që nuk duhet të lejohet të ndodhë më kurrë”, u shpreh ai.
Me kalimin e kohës, hetimi i Trump filloi të kthehej nga një mundësi në siguri. Komisioni parlamentar për gjyqësorin zbuloi akuzat ndaj tij për “krime të rënda dhe kundërvajtje”.
Gjithçka lidhej me telefonatën e kontestuar të Trump me presidentin e Ukrainës.
“Neni i parë është për abuzim me pushtetin. Është një krim i rëndë për një president të ushtrojë forcën e pushtetit të tij zyrtar për të siguruar përfitime personale, duke injoruar apo dëmtuar interesin kombëtar. Kjo i hap rrugë nenit të dytë që është për pengim të Kongresit”, tha Jerry Nadler, kryetar i komisionit gjyqësor.
Nga ana e tij, Trump u përgjigj fillimisht me dy fjalë në Twitter, “gjueti shtrigash” dhe më vonë personalisht.
“Kjo është një gjueti shtrigash, është diçka e tmerrshme. Por edhe vetë demokratët nuk zbuluan shumë gjëra sepse nxorën vetëm dy nene të dobëta, shumë të dobëta”, u shpreh presidenti Trump.
Edhe republikanët e tij u shprehën skeptikë nëse procesi do të përfundojë me shkarkimin e presidentit.
“Do të habitesha shumë nëse do të gjendeshin 67 senatorë që do të shkarkonin presidentin. Ky është këndvështrimi im”, tha Mitch McConnell, lider i maxhorancës.
Por gjërat për presidentin e Shteteve të Bashkuara do të vështirësoheshin. Më 19 dhjetor erdhi konfirmimi se ai do t’i nënshtrohet procesit të shkarkimit duke u bërë presidenti i tretë në historinë amerikane që do të përballet me faktin nëse do të vijojë të qëndrojë apo jo në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Sikundër pritej Dhoma e Përfaqësuesve votoi për dy akuzat e ngritura ndaj tij, e para për abuzim pushteti dhe e dyta për pengim të hetimit në Kongres.
Të gjithë demokratët votuan pro procesit të shkarkimit, ndërsa republikanët kundërshtuan.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi qetësoi ligjvënësit demokratë, të cilët nisën të reagonin pas votimit.
“Në këtë votim 230 janë pro, 197 kundër dhe një abstenim. Neni një miratohet. Për votimin e dytë 229 vota janë pro dhe 198 kundër. Neni dy miratohet”, deklaroi Pelosi.
Republikanët ishin pa dyshim në mbrojtje të presidentit, duke siguruar se Trump do të vijojë të jetë president.
“Zonja kryetare. Dua t’ju paralajmëroj dhe do të them diçka që kolegët demokratë e urrejnë. Donald Trump është President i SHBA-ve. Ai është president sot, do të jetë edhe nesër. Trump do të jetë president edhe kur procesi i shkarkimit të përfundojë”, nënvizoi Kevin McCarthy, kryetar i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve.
E teksa Dhoma e Përfaqësuesve votoi për procesin e shkarkimit, Kreu i Shtëpisë së Bardhë reagoi me ironi gjatë një mitingu në Michigan.
“Ata duan të më shkarkojnë. Ata duan të bëjnë më keq se kaq. Nejse, nejse, nejse, nuk duket sikur ne do të shkarkohemi. Vendi po ecën më mirë se kurdoherë”, tha Presidenti Trump.
Të njëjtën ditë, demokratë dhe republikanë reaguan nëpër rrjete sociale e jo vetëm në lidhje me miratimin e dy neneve që i hapën rrugë procesit për shkarkimin e presidentit.
Senatori i Vermontit dhe kandidati demokrat për president, Berni Sanders publikoi një video ku thoshte se, sot është një ditë e trishtueshme por e nevojshme për demokracinë amerikane.
“Presidenti i Shteteve të Bashkuara po procedohet dhe kjo është gjëja e duhur, sepse nuk duhet të harrojmë se asnjë individ në këtë vend, përfshirë presidentin, nuk është mbi ligjin dhe Kushtetutën. Ndaj unë e mbështes atë që bëri Dhoma e Përfaqësuesve”, u shpreh Bernie Sanders, kandidat për president të SHBA.
Ish-zëvendës presidenti Xho Bajden, gjithashtu kandidat për kryetar shteti, u shpreh në Twitter se, ky ishte një moment solemn për Shtetet e Bashkuara.
Nga krahu republikan senatori i Karolinës së Jugut, Lindsi Graham deklaroi se nenet e miratuara nga Dhoma e Përfaqësuesve do të rrëzohen shumë shpejt në Senat. Ndërsa avokati personal i presidentit Trump, Rudi Xhulilani tha se një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë më me asnjë president, qoftë republikan apo demokrat. “Është tërësisht jo kushtetuese”, theksoi Xhuliani.
Por çfarë pritet të ndodhë me fatin e presidentit të 45-të të SHBA-ve?
Gjyqi ndaj tij tashmë do të zhvillohet në Senat në muajin janar. Për shkarkimin e presidentit duhen dy-të-tretat e votave të Senatit prej 100 vendesh. Demokratët kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, që miratoi ngritjen e akuzave, ndërsa Senatin e kontrollojnë republikanët, ku pritet që asnjë prej tyre të votojë për shkarkimin e presidentit. Nëse Senati e shpall presidentin të pafajshëm, ashtu siç pritet të ndodhë, presidenti Trump do të hyjë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale me imazhin e një kandidati të akuzuar nga Dhoma e Përfaqësuesve. Por nga ana tjetër ka edhe republikanë që mendojnë se procesi i shkarkimit do të ketë pasoja botërore për diplomacinë amerikane.
Vetë Trump ka kërkuar një proces të menjëhershëm në Senat. Përmes një seri postimesh në Twitter më 20 dhjetor, presidenti akuzoi demokratët se nuk duan të bëjnë një proces gjyqësor pasi sipas tij, “çështja e tyre është e dështuar”.
“Pasi demokratët bënë një proces në Dhomën e Përfaqësuesve ku nuk më lejuan avokat, nuk më lejuan dëshmitarë dhe nuk lejuan asgjë prej gjëje, tani duan t’i thonë Senatit se si të menaxhojë procesin. Aktualisht ata kanë zero prova dhe nuk do të shfaqen kurrë. Ata duan kohë, unë dua një proces të menjëhershëm”, deklaroi Trump.
Presidenti shtoi se demokratët nuk duan që në proces të dëshmojnë Adam Shif, që udhëhoqi procesin hetimor ndaj tij; ish-zv. presidenti Xho Bajden dhe informatori i CIA-s që denoncoi rastin e Ukrainës.
Për të çuar gjërat përpara, Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga demokratët duhet t’ia kalojë nenet e shkarkimit Senatit. Por kryetarja e Dhomës, Nensi Pelozi refuzon ta bëjë këtë pa u siguruar më parë se kushtet për procesin në Senat do të jenë të pranueshme për demokratët.
Lideri republikan, Miç MekKonell zhvilloi një takim me homologun demokrat Çak Shumer, por sikurse bëri të ditur vetë ai, takimi dështoi. Ndaj mbeten ende disa gjëra për t’u kopsitur përpara se të nisë procesi.