Ministri i Jashtëm i Holandës, Stephanus Blok, ka deklaruar se Shqipëria duhet që të tregojë një angazhim serioz për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Me anë të një interviste për median kroate “Jutarnji List”, ministri i Jashtëm holandez theksoi se Holanda është e gatshme që të ndihmojë në reformat e sundimit të ligjit në Shqipëri, por edhe në Maqedoninë e Veriut.
I pyetur në lidhje me arsyet se përse Holanda së bashku me Francën dhe Danimarkën vendosën veton në hapjen e negociatave të pranimit në BE ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Blok deklaroi se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një perspektivë të vërtetë për t’u anëtarësuar në BE.
Shteti i Holandës ka pasur gjithmonë rezerva ndaj Shqipërisë, ndërsa ka apeluar vazhdimisht që të forcohet kuadri ligjor dhe t’i shpallet luftë frontale korrupsionit dhe krimit të organizuar, elementë këto, që gjithmonë i ka cilësuar si pengues të fortë për fatin europian të vendit tonë.