Raxha Naingolan i mohon për të tretën ndeshje radhazi fitoren skuadrës së Interit. Zikaltrit barazuan 1-1 në ndeshjen e javës 21-të, në përballjen me Kaljarin.
Të besuarit e Antonio Contes shënuan të parët me anë të Lautaro Martines. Argjentinasi goditi saktë me kokë nga brenda zone, pasi shfrytëzoi maksimalisht harkimin e Eshli Jang, lojtar i afruar në merkaton e janarit.
Në pjesën e dytë miqtë vendosën ekuilibrin. Pas një aksioni të gjatë të ekipit të Kaljarit, Naingolan me një goditje nga distanca, i ndihmuar dhe nga një devijim, përkëdheli shtyllën dhe përshëndeti rrjetën.
Në minutat e mbetura, Inter tentoi deri në fund, por pa mundur që të merrte maksimumin, duke shënuar një tjetër hap fals e duke i krijuar mundësinë Juventusit që të fillojë “arratinë” në krye të klasifikimit.
Pak minuta para fundit, Martinez u ndëshkua me karton të kuq, duke rrezikuar dhe ndonjë dënim nga federata italiane, pas një veprimi aspak korrekt.