Në universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës është çelur viti i ri akademik 2024-2025. Në auditorët e këtij universiteti do të ulen për herë të parë 350 studentë ndërsa në total ky universitet numëron rreth 1500 studentë.
Megjithëse në nisje të vitit të ri akademik nuk mbyllet asnjë degë sërish numri i të regjistruarve në degët e mësuesisë është minimali i kuotave të parashikuara si shkak i interesit në rënie për to.
“Për këtë vit akademik asnjë prej degëve të mësuesisë nuk rrezikohet të mbyllet pavarësisht tkurrjes të numrit të studentëve që vjen në degët e mësuesisë, ky është një fenomen tashmë mbarëkombëtar që nuk përfshin vetëm universitetin e Gjirokastrës por është një problem shqetësues për të gjitha universitetet publike në vendin tone, të cilat ofrojnë programet e studimit në mësuesi. Ne vazhdojmë t’i mbajmë aktive këto programe, pra është siguruar numri minimal i studentëve për t’i quajtur aktive këto degë”, tha Jaho Canaj, rektor i universitetit “Eqrem Çabej”
Këtë vit të ri akademik në universitetin e Gjirokastrës janë regjistruar edhe dy studentë të rinj nga Lugina e Preshevës të cilët i ndjekin studimet falas.
“Vij nga Lugina e Preshevës, nga komuna Bujanvcit, jam 20 vjeç studimet do t’i vazhdoj këtu në universitetin e Gjirokastrës me pëlqen dega e gjuhës angleze, do ta vazhdoj këtu, më pëlqen edhe vendi më mirëpritën shumë mirë, shpresoj që t’ia kaloj mirë”, u shpreh Halim Halimi, student nga Lugina e Preshevës.
Universiteti i Gjirokastrës ka një aktivitet mbi 50-vjeçar dhe ofron 22 degë studimi në shkencat shoqërore, natyrore dhe ato të edukimit.
LEXONI GJITHASHTU:
- Nis viti i ri akademik, disa degë rrezikojnë mbylljen te Fakulteti i Shkencave
- Viti i ri akademik/ Mbyllet Ekonomiksi në Korçë, në Elbasan preferohet mësuesia