Interi vijon të konfirmojë nga dita në ditë se asnjë prej ekipeve italiane nuk mund të rivalizojë në fushë, duke regjistruar një tjetër fitore, këtë herë ndaj Udinezes. Të besuarit e Simone Inzaghit hasën jo pak vështirësi ndaj një kundërshtari që synimin e vetëm ka qëndrimin në elitën e futbollit italian, pasi ndodhet 2 pikë larg zonës së ftohtë.
Pjesa e parë edhe pse prodhoi disa raste për miqtë, golin do ta gjente Udinese me anë të Samardziç, me këtë të fundit që me pak fat e ndali topin në rrjetë. Në fraksionin e dytë zikaltrit u kundërpërgjigjën shpejt. Në minutën e 55 erdhi goli i barazpeshës me autor Hakan Calhanoglu që ekzekutoi saktë një 11 metërsh, pas ndërhyrjes së parregullt nga portieri kundërshtar në dëm të francezit Thuram. Sulmet e Interit u shtuan më tepër në minutat në vijim, por goli do të shënohej në limite nga Frattesi.
Lautaro Martinez goditi nga jashtë zone ndërsa topi i pritur nga portieri Okoye gjeti Frattesin që me portën thuajse bosh e dërgoi në rrjetë duke përmbysur shifrat. 1-2 për Interin i cili vijon rrugëtimin i pashqetësuar drejt titullit kampion, 14 pikë para Milanit, që është dhe ndjekësi më i afërt.
LEXONI GJITHASHTU:
- Interi jashtë Champions League, penalltitë “tradhtojnë” zikaltrit
- Çerekfinalet e Champions League, sot dy supersfida që garantojnë spektakël