Situata me coronavirusin vazhdon të jetë e rëndë në Iran, ku është prekur 8% e parlamentit.
Rreth 28 deputetë të parlamentit me 290 anëtarë janë prekur nga coronavirusi, siç ka njoftuar vetë kryetari i institucionit, i cili i ka pezulluar seancat pa afat.
Një tjetër zyrtar i lartë iranian ka humbur jetën nga coronavirusi. Ai është ish ambasadori iranian në Siri, Husein Sheikholeslam.
Irani ua ka ndaluar qeveritarëve udhëtimet jashtë vendit, ndërkohë që po marrin masa të forta për t’u mbrojtur, përfshi angazhimin e ushtrisë.
Numri i të vdekurve në total në Iran ka kapur 108, ndërkohë që të infektuarit janë 3513. 2666 pacientë po mbahen të shtruar, ndërkohë që 739 janë shëruar.
Zyrtarët e OBSH-së kanë thënë që janë ende në kohë për ta ndaluar përhapjen e virusit në Iran, ndërkohë që edhe vendi fqinj, Iraku, vazhdon të shënojë raste të reja.