Vendimi për shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Agim Veliu mund të sjellë prishjen e koalicionit qeverisës në Kosovë, VV-LDK. Pas vendimit të marrë nga kryeministri, Albin Kurti, në reagimin e tij kreu i LDK-së, Isa Mustafa e konsideron vendimin të njëanshëm dhe sipas tij nuk ka pasur konsulta sicc e dikton marrëveshja për koalicionin.
Z. Mustafa i ka vendosur dy kushte aleatit të tij në qeveri; anulimin e vendimit për shkarkimin e z. Veliu si dhe heqjen e taksës me Serbinë deri në fund të kësaj jave, duke shtuar se vendimet e njëanshme të z. Kurti po çojnë drejt prishjes së koalicionit.
“Për mua dhe LDK-në është i papranueshëm shkarkimi i Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Agim Veliu. Kjo është shkelje e Marrëveshjes së koalicionit. Me marrëveshje kemi përcaktuar se ministrat mund të shkarkohen nga Kryeministri në konsultim me Kryetarin e subjektit politik me të cilin është bërë koalicioni, bazuar në një arsyetim që e pranon Kryetari i LDK-së. Si kryetar i LDK-së nuk jam konsultuar nga Kryeministri dhe aq më pak i pranoj arsyet e tij te bëra publike. Kërkoj nga Kryeministri të anuloj vendimin për shkarkimin e z. Veliu dhe të merr vendim për heqjen e taksës deri në fund të javës. Veprimet e njëanshme të Kryeministrit janë të dëmshme dhe të papranueshme dhe qojnë në prishje të koalicionit”, thuhet në reagimin e z. Mustafa.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shkarkuar sot nga detyra ministrin e Brendshëm, Agim Veliu. Në argumentimin e tij, shefi i qeverisë së Kosovës theksoi se ish-ministri i Brendshëm ka “minuar hapur punën e qeverisë dhe nuk ka treguar lidershipin e duhur”
Mbrëmjen e djeshme, ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu, për televizionin “Klan Kosova”, është shprehur kundër qëndrimit të mbajtur nga Kryeministri i Republikës së Kosovës mbi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme duke theksuar se një hap i tillë është i nevojshëm duke qenë se numri i të infektuarve po rritet nga ora në orë.
Por, këto qëndrime janë konsideruar si të papranueshme nga z. Kurti. Veliu ka dëshmuar mungesë të theksuar lidershipi dhe ka minuar hapur punën e qeverisë, pjesë e të cilës ai është, thuhet në njoftimin e kryeministrisë për shkarkimin e ministrit të LDK-së. Ndërkohë, deri në zgjedhjen e ministrit të ri, të gjitha vendimet brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike do të merren nga zv. Ministri aktual. Xhelal Sveçla.