Gruaja më e pasur e Afrikës e ngriti pasurinë përmes korrupsionit, duke zhvatur dhe varfëruar vendin e saj. Kështu thonë disa dokumente të publikuara në mediat ndërkombëtare, sipas të cilave Isabel dos Santos ishte përfshirë në biznese pronash, nafte, diamantesh dhe telekomunikacioni kur babai i saj ishte president i Angolës, vendi afrikan i pasur me burime natyrore.
Dokumentet tregojnë se ajo dhe bashkëshorti i saj u lejuan të blinin asete përmes një seri marrëveshjesh të dyshimta. Aktualisht zonja Dos Santos ndodhet nën një hetim penal nga autoritetet për korrupsion dhe asetet e saj janë ngrirë. Ajo thotë se akuzat janë false dhe të motivuara politikisht nga qeveria e Angolës.
“Të gjitha akuzat janë një farsë. Neve nuk na është dhënë mundësia për të paraqitur provat tona për t’u mbrojtur. Nuk kemi qenë në dijeni të këtyre procedimeve, nuk u thirrëm, nuk u informuam kurrë. As vartësit e mi nuk u informuan, prandaj këto procedime janë vendosur në fshehtësi”, thotë Isabel dos Santos.
Vajza e ish-presidentit të Angolës aktualisht jeton në Mbretërinë e Bashkuar, ku zotëron prona të kushtueshme në qendër të Londrës. Dokumentet e publikuara sugjerojnë se Dos Santos dhe bashkëshorti i saj menaxhuan pagesa prej më shumë se 1 miliard dollarë nga kompania e naftës Sonangol dhe ajo e diamanteve “Sodiam” në kompani të tjera në pronësi të tyre.
Znj. Dos Santos, e cilësuar gruaja më e pasur e Afrikës nga revista “Forbes”, me një pasuri prej 2 miliardë dollarësh, është një figurë që ka përçarë Angolën, ku ndryshe njihet me pseudonimin “Princesha”. Mbështetësit e shohin atë si një afariste frymëzuese, ndërsa kritikët si personifikimin e nepotizmit dhe korrupsionit që ka gërryer kontinentin.