Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka njoftuar të martën se ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Haxhi Shala, dhe Sabit Januzi kanë pranuar akuzën për frikësimin e një dëshmitari dhe pengimin e drejtësisë, në marrëveshje me këtë zyrë për pranimin e fajësisë.
“Të pandehurit janë akuzuar për frikësim gjatë procedurave penale dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, thuhet në njoftim, shkruan REL.
Në një reagim lidhur me marrëveshjet, Prokurorja e Specializuar, Kimberly West, ka deklaruar se “arritja e zyrës sonë për t’i përfunduar këto marrëveshje është dëshmi e forcës së hetimeve tona lidhur me çështjet e frikësimit dhe pengimit të drejtësisë”.
Dhomat e Specializuara, po ashtu, konfirmuan këto dy marrëveshje për pranimin e fajësisë, ku “secila bazohet në ‘faktet e pranuara’, me çka të akuzuarit pranojnë se disa fakte të paraqitura në aktakuzë do të vërtetoheshin jashtë dyshimit të arsyeshëm dhe janë të vërteta dhe sakta”.
Sipas tyre, “Rregullorja e procedurës dhe e provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës lejon që Prokurori i Specializuar dhe mbrojtja të arrijnë marrëveshje për pranimin e fajësisë, e cila duhet të miratohet nga trupi gjykues para se të hyjë në fuqi”.
“Trupi gjykues, aktualisht, është duke i shqyrtuar marrëveshjet për pranimin e fajësisë në këtë çështje gjyqësore”, thuhet në komunikatën e Dhomave të Specializuara.
Seanca për marrëveshjet për pranimin e fajësisë është caktuar më 18 dhjetor. Këto marrëveshje nuk janë bërë ende publike, njofton ky institucion, dhe shtoi se ato do të publikohen “sapo të bëhen të disponueshme versionet e redaktuara publike dhe parashtrimet përkatëse”.
Gjyqi ndaj Shalës dhe Januzit, së bashku me Ismet Bahtijarin, ishte planifikuar të hapej më 14 nëntor 2024.
Aktakuza kundër Haxhi Shalës u konfirmua më 4 dhjetor 2023 nga gjykatësi i procedurës paraprake. Ai u arrestua më 11 dhjetor 2023, dhe një ditë më vonë u transferua në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Prokuroria në Hagë e ka ngarkuar Shalën me aktakuzë me tri pika: tentativë për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes kërcënimit të rëndë, tentim për pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi dhe për frikësim gjatë procedurës penale.
Sipas aktakuzës, në periudhën midis 5 dhe 12 prillit 2023, Shala, bashkë me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin (të dy të akuzuar nga Specialja), kontaktuan një dëshmitar.
Aktakuza thotë se ata, veçmas, takuan dëshmitarin, në dy raste, “për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndër të cilat përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime”.
Më 15 dhjetor 2023, Shala ishte deklaruar i pafajshëm për pikat me të cilat e akuzon prokuroria në Hagë.
LEXONI GJITHASHTU:
- Prokuroria e Hagës: Operacione mbi dyshimet për pengim të drejtësisë
- Fitoi pafajësinë në Hagë, ish-komandanti i UÇK-së rrëfen përjetimet