Ish-ministri i drejtësisë z. Ylli Manjani në një intervistë për Euronews Albania ofroi pikëpamjet e tij lidhur me sistemin e drejtësisë dhe veprimet e presidentit të republikës Ilir Meta.
Manjani parashtroi problemet që sipas tij vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura në sistemin e drejtësisë dhe tha se reforma në drejtësi në fakt do t’i zhgënjejë qytetarët në vend që të rrisë besimin e tyre tek institucionet.
“Kjo nuk është një reformë që trajton problemet e gjyqit, e procesit apo ato që shqetësojnë vërtetë përdoruesit e sistemit gjyqësor. Kjo ishte një reformë personeli, heqim ca për të vënë ca të tjerë”, u shpreh ish-ministri.
Sipas tij, është sistemi ai që duhet të ndryshojë, pasi ndryshimi i personave nuk ofron garanci, duke qenë se njerëzit janë veprojnë njëlloj.
“Reformat e vërteta tentojnë të ndryshojnë sistemin dhe sistemi i drejtësisë nuk ka ndryshuar, është përkeqësuar, gjyqet zgjaten, nuk po fiton qytetari,” tha Manjani.
Për Manjanin procesi i vetingut ka ndikuar në rënien e numrit të prokurorëve nga njëra anë dhe sigurisht nga ana tjetër ka bërë që numri i çështjeve të shtohet, ashtu sikurse presioni për zgjidhje të shpejtë të rasteve.
Megjithatë sipas tij kjo nuk është një ngjarje e re, as e papritur.
“Nuk është një ngjarje që nuk është parashikuar, personalisht e kam parashikuar dhe jam përpjekur ta zgjidh në 2016, kur kam marrë një nisëm për hapjen e shkollës së magjistraturës. Shkolla e magjistraturës duhet hapur, të ketë të paktën 100 pranime në vit që të përballojmë fluksin e nevojave që ka drejtësia. Të paktën sot do e kishim një grup juristësh të gatshëm për t’iu afruar drejtësisë. – ky propozim ndikoi që të quhesha kundër reformës,” tha Manjani.
I pyetur lidhur me Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ish-ministri u shpreh se SPAKU po mbingarkohet me çështje pa rëndësi.
“SPAKU në vetvete nuk është krijuar ende ligjërisht, janë ende nën numrin kushtetues, duhet të ishin 10 janë 8, duhen shumë më tepër prokurorë. Plus duhet një BKH aktive që të fillojë punë, asnjëra nga këto nuk është,” deklaroi ai.
Manifestimi i presidentit
I rezervuar lidhur me komentet për manifestimin e thirrur nga presidenti i republikës z. Ilir Meta të hënën, ish-ministri i LSI tha se Republika e Shqipërisë në letër ka një kushtetutë të miratuar nga 140 deputetë si asnjëherë tjetër.
“Kjo kushtetutë është prej disa vitesh jashtë funksionit. Të nxjerrësh kushtetutën e vendit jashtë funksionit me ligje të jashtëzakonshme, të posaçme, të kompromentosh balancën e pushteteve. Në realitet ne kemi republikë qeveritare. Parlamenti nuk e ka kontrolluar asnjëherë qeverinë. Normat e shtetit janë zëvendësuar me norma të posaçme.”
Manjani ofroi tre rastet kur sipas tij shpërndarhet parlamenti dhe tha se asnjë prej tyre nuk përkon me skenarin e ofruar nga presidenti Ilir Meta.
“Diskutimi që u shpërndaka parlamenti jashtë këtij konteksti është po aq i papranueshëm nga pikëpamja kushtetuese, sa është edhe procedura që kanë çelur këta [deputetët socialistë] për të shkarkuar presidentin. Është njësoj antikushtetuese. Janë të dyja antikushtetuese në të njëjtën vlerë,” tha Manjani.
Ai dha një shembull lidhur me mosrendimin e punës së institucioneve shtetërore.
“Askush nuk i kërkon llogari prokurorisë përse nuk bën policinë zap për arrestimet e paligjshme, thuajse 85% e arrestimeve që i nxjerrin në media janë kot, janë të paligjshme, me vendime gjykatash këto,” tha Manjani.