Në Itali vazhdojnë të përdoren kamionët e ushtrisë për të mbledhur numrin e madh të arkivoleve nëpër kisha, pasi agjencitë shtetërore të funeraleve e kanë të pamundur ta përballojnë vetë procesin.
Një kishë në Serita të Italisë, 30 km larg Bergamos, kërkoi ndihmë për shkak të numrit të madh të arkivoleve që ishin mbledhur.
Bergamoja është zona që është goditur më rëndë nga coronavirusi.
Ushtria ka ditë që merret me transportimin e arkivoleve nga kishat e drejt varrezave e krematoriumeve të ndryshme të Italisë.
Numri i të vdekurve në Itali vazhdon të jetë më i larti në botë, 6820 deri nëmbrëmjen e së martës, 24 mars, ditë kur të vdekurit brenda 24 orëve arritën 743.
Një ditë më parë, numri i të vdekurve kishte qenë 601, gjë që kishte bërë të mendohej për një lehtësim të situatës, pasi ishte më pak se dita e diel, kur u numëruan 793 të vdekur.
Të mërkurën e 25 marsit, në të gjithë botën janë infektuar rreth 423 mijë persona nga coronavirusi COVID-19, dhe 18.923 kanë humbur jetën.
Lajmi i mirë është që personat e shëruar sa vijnë e shtohen. Në të gjithë botën janë 108.629 persona që janë shpallur të shëruar. 60.801 prej tyre janë vetëm në Hubei të Kinës, e cila ishte qendra dhe origjina e epidemisë.
SHBA-të mund të bëhen epiqendra e re, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, teksa numri i të infektuarve ka arritur 55 mijë, e sa vjen dhe i afrohet numrit të Italisë, e cila, bashkë me Spanjën dhe Francën, e bën Europën qendrën qendrën e pandemisë për momentin.
Spanja renditet menjëherë pas Italisë për sa i përket të vdekurve, me 2991 në total, gati duke arritur Kinën e cila ka rreth 3200 të vdekur, prej ku buroi dhe sëmundja.
Irani po ashtu vazhdon të numërojë shumë të vdekur, 1934 deri tani, ndërkohë që të infektuarit janë 24.811.
Franca është një tjetër vend europian që ka parë një rritje tragjike të numrit të personave të vdekur, duke numëruar 1100 viktima deri tani, ndërkohë që të infektuarit janë 22.635.