Pesëdhjetë e një tullumbace për 51 viktimat e tërmetit të 26 nëntorit. Futbolli e tha fjalën e tij duke dhënë kontributin në ndihmë të familjeve të prekura nga kjo tragjedi.
Duhet theksuar se pavarësisht qëllimit të mirë, në shkallët e stadiumit të ri kombëtar “Air Albania Stadium” nuk pati pjesëmarrje shumë të madhe.
Ishte Italia që arriti të fitonte turneun e bamirësisë “ Luajmë dhe rindërtojmë së bashku”. Skuadra e drejtuar nga Gianni De Biasi fillimisht kaloi Shqipërinë pas goditjeve të penalltive pasi koha e rregullt u mbyll në shifrat 1-1, ndërsa në finale mposhti 1-0 Greqinë.
Me sa duket Shqipëria i sjell fat Giani De Biasit, i cili sërish doli fitimtar edhe pse kësaj herë në stolin e Italisë. Fitorja e gëzoi teknikun italian, por tha se do donte që të ishin më shumë tifozë në shkallët e stadiumit.
“Emocione te mëdha që kthehem në Shqipëri edhe pse sot erdha në stadium kundër kombëtares sime. Isha i qete pasi si të fitonte Shqipëria dhe si të fitonte Italia për mua ishte njësoj. Prisja më shumë tifozë. Nuk e di sa është promovuar eventi por prisja më shumë.
Të gjithë ata që ishin meritojnë respekt pasi kanë ndihmuar personat që tani kanë nevojë”, tha ish-trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, z. Gianni De Biasi.
Tifozët shqiptarë panë edhe një herë në fushën e lojës disa nga yjet e përfaqësueses shqiptare ndër vite, të cilët edhe pse e kishin humbur disi shkëlqimin e dikurshëm, treguan se janë gati gjithmonë për të veshur ngjyrat kuq e zi.
Kreu i Sindikatës së Futbollistëve dhe njëkohësisht organizatori i këtij turneu Andi Lila, u shpreh i lumtur për organizimin.
“Të them shumë është pak. Lodhje e jashtëzakonshme, por në këtë moment që konkluzioni ishte me sukses më duket vetja 3 centimetra pak më i gjatë”-u shpreh Kreu i Sindikatës së Futbollistëve, z.Andi Lila.
Të ardhurat e këtij eventi do të shkojnë të gjitha në ndihmë për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit.