Italia vijon të mbetet partneri kryesor i Shqipërisë sa i përket eksporteve. Drejt këtij shteti shkoi afro gjysma e totalit të shitjeve tona në 2019-n sipas INSTAT.
Por, eksportet drejt Italisë kanë shënuar dhe rënien më të madhe në vlerë absolute në 2019-n, duke u tkurrur në 143 miliardë lekë.
Kjo tendencë është e lidhur kryesisht me performancën e dobët të tekstileve e këpucëve, mbi 70% e të cilave kanë si destinacion Italinë.
Kosova ka vijuar të jetë sërish edhe në 2019-n partneri i dytë tregtar i Shqipërisë.
Ndryshe nga Italia, eksportet drejt Kosovës kanë shënuar rritjen më të madhe në vlerë absolute, duke u rritur në gati 30 miliardë lekë.
Dy produktet kryesore që shkojnë në Kosovë janë nafta dhe metalet, të ndjekura nga materialet e ndërtimit dhe produktet ushqimore.