Dy pasagjerë të moshuar, pasagjerë të anijes së pushimeve Diamond Princess, kanë humbur jetën pasi janë nxjerrë nga anija, ka lajmëruar ministria e Shëndetësisë së Japonisë.
Ata janë viktimat e para nga anija e pushimeve, aktualisht e ankoruar në portin e Jokohamës pranë Tokios, nga ku janë konfirmuar 621 raste personash të infektuar nga një total prej 3,711 personash në bord.
3 persona kanë humbur jetën në Japoni si pasojë e coronavirusit COVID-19.
Televizioni publik i Japonisë NHK tha se dy pasagjerët japonezë ishin rreth të tetëdhjetave. Një zyrtar i ministrisë së Shëndetësisë konfirmoi se ata qenë shtruar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore, që vinte si pasojë e një sëmundje të mëparshme kronike.
Të mërkurën, anija e pushimeve nisi të zbresë pasagjerët që rezultonin negativ ndaj coronavirusit, pas përfundimit të një periudhe 14-ditore në karantinë. Një numër i madh pasagjerësh pritet të zbarkojnë edhe gjatë së enjtes dhe të premtes.
Ndërkohë, dy pasagjerë të tjerë të moshuar me origjinë nga Irani kanë vdekur gjithashtu nga virusi, teksa vendi ka njoftuar se ky është rasti i parë. Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA raportoi të mërkurën se viktimat ishin nga një qytet rreth 140 kilometra larg Teheranit.
Të paktën 2 mijë e katër persona kanë vdekur nga coronavirusi COVID-19 me 74,100 raste të konfirmuara në Kinë, aty ku dhe u shfaq për herë të parë virusi.
Gjithashtu, është vënë në pikëpyetje mënyra sesi qeveria japoneze e ka trajtuar situatën, me disa ekspertë që e kanë cilësuar anijen si “një inkubator perfekt”. Disa ekspertë të tjerë që kanë mbikëqyrur procesin e karantinës në bord gjithashtu kanë qenë kritikë ndaj masave mbrojtëse në anije.
Rreth 440 pasagjerë zbritën nga anija dje në mbrëmje dhe zyrtarët japonezë konfirmuan se 1 mijë pasagjerë të tjerë do zbresin deri të premten. Anija e pushimeve Diamond Princess u vu në karantinë pasi një pasagjer që zbriti më herët në Hong Kong u zbulua se ishte mbartës i virusit.
Përpara se të përfundonte periudha e karantinës në anije, Shtetet e Bashkuara evakuuan më shumë se 300 amerikanë duke i vënë ata më pas në karantinë për 14 ditë të tjera. Koreja e Jugut, Australia dhe Hong-Kongu evakuuan banorët e tyre për t’i vënë më pas në karantinë gjithashtu, ndërsa Kanadaja dhe Italia dërguan avionë për të tërhequr shtetasit e tyre.
Gjithashtu mund të lexoni: Japoni, zbarkojnë pasagjerët e parë nga anija e pushimeve që ishte vënë në karantinë