Ka nisur festivali mbarëkombëtar i Kukullave “Xinxifilo”, në edicionin e tij të 16 në qytetin e Pogradecit.
Trupa nga Kosova, Tirana, Vlora, Korça, Berati, Shkodra dhe Pogradeci, për 5 ditë radhazi do të japin shfaqje të ndryshme me personazhe të dashura për fëmijët. Aktorët dhe organizatorët tregojnë se përpos kënaqësisë që shfaqjet do të falin, brenda tyre ka dhe mesazhe.
“Vijmë me një pjesë klasike që është Borebardha me 7 Xhuxhat por në një formë komplet tjetër të re. Është një formë që ne jemi shumë krenarë sepse është një modë shumë e re dhe një eksperiencë shumë e veçantë si për mua që e luaj, është një aktor që i luan gjithë personazhet dhe për vet regjisorin, për gjithë ne ishte një sfidë”, shprehet Jorida Meta, aktore e Tiranës.
“Është hera e dytë që vijmë në festivalin e Pogradecit dhe prezantohemi me një pjesë aktuale, është një tematike që prek këtë pjesën e vështirë të pandemisë por e parë në planin e komedisë, argëtimit për fëmijët por njëkohësisht ka dhe mesazhin dhe idenë interesante që përcjell vepra”, thotë Hysen Mullajnuzi, regjisor i teatrit të kukullave në Elbasan.
Organizimi i këtij festivali ka qenë i vështirë ndërkohë që synohet të kthehet në një traditë për qytetin liqenor të Pogradecit, thotë drejtori i qendrës kulturore të Pogradecit.
“Është shumë e vështirë por kur shikon frytet dhe rezultatin sigurisht që kuptojmë se ja ka vlejtur çdo vështirësi në realizimin e festivalit. Vet emri i festivalit Xinxifilo do të thotë diçka në rritje e padyshim që ne mendojmë se vit pas viti ai të shtohet e të zgjerohet, vjet ishte festival kombëtar këtë vit është festival mbarëkombëtar me prezencën edhe të trupës së Prishtinës, vitin tjetër duam ta zgjerojmë me trupa nga Europa dhe Ballkani”, shprehet Eritan Kamolli, drejtor i qendrës kulturore të Pogradecit.
Xinxifilo është një personazh që vjen nga përrallat e Mitrush Kutelit. Prej 16 vitesh emri i personazhit të dashur për fëmijët personifikon festivalin, i cili argëton publikun e vogël për t’u njohur dhe dashuruar teatrin.