Dy ditët e fundit është aluduar se në spitalin e Kavajës po ngrihet një ambient karantine, për të futur të gjithë personat që dyshohen se mund të jenë mbartës të coronavirusit. Përparim Daiu, drejtor i spitalit të Kavajës, në një bisedë për Euronews Albania, tha se ai ende nuk ka marrë asnjë kërkesë zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë, ku t’i kërkohet që në ambientet e Spitalit të Kavajës, të ngrihet një ambient karantine.
“Këtu nuk ka asnjë urdhër, asnjë shkresë zyrtare që spitali i Kavajës të bëhet karantinë. Nuk mund të hapim as panik, asnjë gjë nga populli, derisa nuk ka asnjë gjë zyrtare. Si mund të hamendësoj unë”, – u shpreh Përparim Daiu, drejtor i spitalit të Kavajës
Në ambientet e spitalit të Kavajës gjithçka duket e qetë. Të pakta janë sektorët e mbingarkuar, ndërsa si jashtë, ashtu edhe brenda spitalit, nuk shihen lëvizje apo ndërhyrje të bëra së fundmi. Por, shitësit ambulant pranë spitalit kanë dyshimet e tyre.
“Kam parë lëvizje, kanë porositur depozitat, gjithçka që duhet për një spital të tillë”, – thotë një shitëse ambulante.
Edhe tek banorët e Kavajës frika është e madhe teksa shprehet se nuk do ta lejojnë një gjë të tillë në qytetin e tyre.
Dyshimet e para se në Kavajë do të ngrihen ambientet e karantinës, u ngritën fillimisht nga Partia Demokratike, teksa Ministria e Shëndetësisë, nuk ka dhënë asnjë prononcim zyrtar për vendndodhjen e karantinës.