Në Shqipëri kafshët e sëmura nuk do të groposen më. Ato do të grumbullohen dhe do të dërgohen në impiantin e Lezhës. Investimi me vlerë rreth 1.5 milionë euro që sapo ka përfunduar në ish-zonën industriale të këtij qyteti mundëson riciklimin e mbetjeve me origjinë shtazore dhe shndërrimin e tyre në lëndë të parë për blegtorinë.
“Është një investim që krijon një vlerë pothuajse nga hiçi, nga të gjithë mbetjet që vijnë nga bota shtazore, përfshi edhe peshkun, kafshët e sëmura, pula të skarcitetit dhe gjithë mbeturinat e botës shtazore. Gjithçka tjetër që do të vijë në këtë impiant, do të përpunohet dhe pasurohet me proteina, për të dalë më pas ushqim për kafshët”, tha ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi.
Ky është i vetmi impiant me parametra bashkëkohorë në vendet e Ballkanit Perëndimor, me një kapacitet ditor përpunimi rreth 120 ton. Me rëndësi tha ministri Çuçi është edhe fakti se ky investim dhe teknologjia e përdorur në fabrikë, nuk kanë impakt negativ në mjedis.
Produkti në këtë fazë është i gjithë i kontraktuar për t’u shitur në vendet e rajonit, BE-së dhe Azisë, por kompania ka si objektiv fillimisht plotësimin e nevojave brenda vendit me ushqim për kafshët dhe fertilizantë për bujqësinë.
Krahas 30 të punësuarve sapo kompania të shfrytëzohet me kapacitet të plotë, vlerë e shtuar e këtij investimi është gjithashtu impakti i madh që do të ketë në uljen e kostove të ushqimit për blegtorinë, si dhe minimizon rrezikun e sëmundjeve zonotike tek kafshët. Rrjedhimisht në këtë mënyrë është i mbrojtur edhe shëndeti i konsumatorit.