Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur që të shkarkojë nga detyra prokurorin, Besnik Cani, pas ankimimit që bëri Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM). Fillimisht, Cani kaloi vetingun pavarësisht disa problemeve që shfaqi me pasurinë. Më pas, ai u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Gjithashtu, dhe Komisioneri Publik ankimoi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që pavarësisht problemeve me justifikimin e pasurisë dhe anën profesionale dhe etike, e konfirmoi në detyrë prokurorin Cani.
Me vendimin e sotëm, Besnik Cani, nuk do të jetë pjesë e sistemit të drejtësisë për 15 vitet e ardhshme. Kolegji i Posaçëm i Apelit e ka shkarkuar nga detyra me argumentin se ka cenuar besimin e publikut gjatë ushtrimit të detyrës së tij si prokuror dhe nuk mund të justifikojë pasurinë.
Cani dhe avokati i tij nuk kanë qenë të pranishëm në këtë seancë. Sipas Kolegjit, anëtari i KLP nuk justifikonte blerjen e një apartamenti, një makine dhe kursimet e deklaruara nga 2010 deri 2015.
Trupa argumentoi në vendim se Cani ka cenuar besimin e publikut pasi ka lidhur një kontratë për një kompani nafte për ndërtimin e një kompleksi shërbimesh në truallin e tij.
Besnik Cani është anëtar i tretë i KLP që shkarkohet nga shkalla e dytë e vetingut. Të njëjtin fat me të pati Antoneta Sevdari dhe Gentian Osmani. Ndërsa në proces është edhe anëtari tjetër Arben Dollapaj për të cilin komisioneri publik kërkon shkarkimin.