Berni Sanders e ka thelluar diferencën në garën mes demokratëve, duke u bërë kandidati që ka më shumë gjasa, tani për tani, që të përballet me presidentin amerikan, Donald Trump, në zgjedhjet e nëntorit 2020.
Sanders ka kryesuar para rivalëve në Nevada, duke e forcuar edhe më shumë pozitën si favoriti i partisë së tij.
Pasi u numëruan 60% të votave, 46% kanë qenë në favor të Sandersit, duke e vendosur shumë përpara Xho Bidenit, i cili u rendit në vend të dytë me 19%.
“Në Nevada kemi ngritur një koalicion që përfshin breza të ndryshëm, raca të ndryshme, dhe kjo nuk po ndodh vetëm aty, por në të gjithë vendin”, tha Sanders.
Sondazhet nga NBC treguan se ai është më i preferuari mes të rinjve dhe votuesve latinë, një grup tepër i rëndësishëm demografik për demokratët.
Sanders tha se amerikanët janë lodhur me një president që gënjen gjithë kohën e që mban një administratë të korruptuar.
Senatori Sanders e përshkruan veten si socialist demokrat, dhe përfaqëson anën më progresive të demokratëve.
Ndërkohë që e ardhmja ish-kryebashkiakut të Nju Jorkut, Majkëll Blumberg, nuk duket dhe aq e sigurt pas sulmeve që mori nga rivalja në debat televiziv, Elizabeth Uoren, e cila e kritikoi duke thënë se “nuk mund të blihen zgjedhjet primare me para, duke anashkaluar garat në katër shtetet e para”.