Kandidati kryesor për t’u zgjedhur kryebashkiak i Parisit, është dorëhequr nga gara pas publikimit të disa videove dhe mesazheve pornografike. Benjamin Griveaux, kandidat i partisë së Presidentit Macron, u tërhoq pas një shkrimi të bërë publik nga artisti kontravers rus, Piotr Pavlenski.
Ky i fundit bëri publike disa pamje ku tregoheshin videot që Griveaux i kishte dërguar një gruaje. Pamjet më pas bënë xhiro në mediat sociale, duke sjellë dhe deklaratën për tërheqje nga gara të kandidatit të Macron.
Griveaux tha në një fjalim televiziv se ai dhe familja e tij janë bërë subjekt i “fjalimeve shpifëse, gënjeshtrave, sulmeve anonime, publikimit të bisedave private, si dhe të kërcënimeve me vdekje” për më shumë se një vit. Ai shtoi se një nivel i ri i këtyre akteve u arrit ditën e enjte me “sulmin burracak” ndaj jetës së tij private.
“Një uebsajt dhe disa rrjete sociale kanë kryer sulme përbuzëse ndaj jetës sime private. Familja ime nuk e meriton këtë. Askush nuk duhet të ushtrojë një dhunë të tillë. Sa më takon mua, unë nuk dua ta ekspozoj më tej familjen dhe veten time kur nuk ka më kufij. Kjo është arsyeja përse kam vendosur të tërheq kandidaturën time për Bashkinë e Parisit”.
Partia e Macron e kishte zgjedhur 42-vjeçarin për ta përfaqësuar në garën për kryetar bashkie ndaj rivalit Cedric Villani, një matematikan i njohur. Tani mbetet e paqartë nëse La Republique En Marche do të renditet pas Villanit, ligjvënësi rebel që u përjashtua nga partia muajin e kaluar, apo do të nxjerrë një kandidat tjetër.
Benjamin Griveaux, që më parë ka punuar si zëdhënës i Pallatit Elize, ka qenë aleat i afërt i Macron që prej fushatës së zgjedhjeve presidenciale në vitin 2017. Kandidatura e Griveaux, ishte në përpjekjen e Presidentit Macron për të kontrolluar bashkinë e Parisit, me qëllim krijimin e një baze të fortë lokale për partinë e tij.