Policia franceze ka sekuestruar një sasi prej më shumë se dy ton kokainë në portin e Le Havre, ndërsa janë arrestuar dy persona. Sipas autoriteteve vlera e drogës së sekuestruar është llogaritur të kalojë 130 milionë euro. Ky është një nga operacionet më të mëdhenj anti-drogë të zhvilluara në Francë dhe një nga arritjet më të fundit në luftën kundër trafikut të paligjshëm të drogës në Evropë.
Kryeministri i ri i Francës, François Bairroux, dhe ministri i Brendshëm, Bruno Retaillo, kanë shprehur angazhimin e qeverisë franceze për të forcuar luftën kundër krimit dhe trafikut të drogës. Ata kanë theksuar se lufta kundër krimit të organizuar dhe bandave të drogës do të jetë një prioritet kryesor i politikave të qeverisë në vitet e ardhshme. “Ne po forcojmë, ditë pas dite, luftën tonë kundër trafikut të drogës, falë punës së shkëlqyer që po bëjnë agjentët tanë”, tha Retaillo në një postim në platformën X, duke uruar policinë franceze për suksesin e operacionit në Le Havre.
Operacioni u realizua në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme të autoriteteve franceze për të goditur bandat e trafikut të drogës që veprojnë në rajonin e porteve të mëdhenj evropianë. Porti i Le Havre është një nga pikat kryesore për kalimin e ngarkesave të ndryshme dhe, për pasojë, një objektiv i rëndësishëm për aktivitetet e paligjshme të trafikantëve të drogës. Ky operacion është pjesë e një fushate të gjerë të iniciuar nga Bashkimi Evropian në vitin 2023, në bashkëpunim me Autoritetet Portuale Evropiane, për të luftuar fenomenin e tregtisë së drogës që zhvillohet kryesisht në qytetet portuale të mëdha.
Gjatë vitit të kaluar, janë realizuar disa operacione të ngjashme, duke përfshirë sekuestrimin e sasive të mëdha droge në disa porte të rëndësishëm, si në Rotterdam dhe Antverp, që janë gjithashtu pikë kyçe për trafikun ndërkombëtar të drogës. Kjo tendencë ka sjellë një rritje të bashkëpunimit ndërkombëtar mes vendeve të Bashkimit Evropian për të forcuar masat dhe ndihmuar në zbulimin dhe ndalimin e rrugëve të trafikimit të drogës që përdorin grupet kriminale.