Këtë të martë sipas informacioneve të siguruara nga korrespondentja e Euronews Albania, Kloida Gjuzi, është kapur nga policia në Spitallë të Durrësit, Agron Bejdolli.
Ai është krahu i djathtë i Pëllumb Muharremit, i cili njihet me nofkën “Rrumi”.
Agron Bejdolli ishte shpallur person në kërkim për pengmarrjen në bashkëpunim të vëllezërve Beqiraj në vitin 2022 dhe njihet si pjesë e grupit kriminal të Aleksandër Lahos. Bejdolli u kap në një banesë në Spitallë të Durrësit.
Si ndodhi ngjarja:
“Pengmarrja” ka ndodhur më 2 tetor 2022, kur dy vëllezërit Beqiraj ishin nisur drejt Durrësit me mjetin e tyre të vogël, kur në rrugë një automjet i ka goditur nga pas. Gjatë konfliktit, Indrit Beqiraj është marrë peng për disa minuta. Ndërsa policia ishte vënë në lëvizje për ta liruar atë, autorët e kanë lënë të lirë, kanë braktisur mjetin dhe janë arratisur. Midis tyre dyshohet të ketë qenë edhe “Rrumi”.
Indrit Beqiraj bashkë me të vëllanë përfunduan në komisariat, ku deklaruan se ngjarja ndodhi për motive të dobëta, por deklarimet e tyre ngritën dyshime pasi u pa që ishin persona me precedentë penal.
Më 4 Tetor 2022, pas arrestimit të dy vëllezërve, Gentian e Indrit Beqiraj u zbardhën një sërë ngjarjesh kriminale. Si rrjedhojë u arrestuan 14 eksponentë të krimit, ndërsa 5 të tjerë u shpallën në kërkim. Mes këtyre të fundit ishte dhe 53 vjeçari Bejdolli.
LEXONI GJITHASHTU:
- I shpëtoi atentatit me eksploziv, arrestohet me pistoletë në makinë miku i “Rrumit”
- Mik i Rrumit të Shijakut, kush ishte objektivi i atentatit me eksploziv në Shkozet