Zuhair Alkafi e nisi si çdo ditë punën e tij si kapiten i anijes cisternë “Queen Majeda”, pa e ditur se lundrimi nga Libia në Shqipëri do të sillte një ndryshim drastik në jetën e tij.
Kjo anije, që vinte nga porti i Bengazit u kap më 12 shtator të vitit të shkuar me 2275 ton naftë kontrabandë, me vlerë rreth 2.2 milionë dollarë.
Në atë kohë që nafta në vend kishte regjistruar çmime rekord, filloi kalvari i vuajtjeve për kapitenin libian 54-vjeçar, që nuk e dinte se vendi i tij i punës shumë shpejt do të kthehej në burg, për të dhe 3 anëtarë të tjerë të ekuipazhit.
“Që në shtator, kur erdhëm, pasi na bllokuan për 6 orë disa milje larg portit, na sollën këtu dhe na dërguan në polici. Qëndrova 6 muaj e 3 ditë në burg dhe tani kam ardhur këtu në anije. Jemi prapë në burg, sepse jemi të mbyllur këtu, nuk dalim dot”, thotë Zuhair Alkafi, kapiteni i anijes.
“Kam më shumë se 19 vite që punoj në det dhe unë e di që kur shes, duhet të jem i pajisur me të gjitha dokumentet. I kisha të gjitha kur erdha këtu dhe jua tregova. Më bënë aq shumë pyetje, sa e kam blerë dhe ku do e shes, por nga ta di unë, ajo s’është e imja, unë jam kapiteni dhe punoj për një kontratë. Në punën time, unë e çoj këtë anije aty ku kompania më porosit. Pra nuk është vendimi im”, tregon ai.
Duke kujtuar një rast të ngjashëm në shtetin gjerman, Alkafi thotë se kjo çështje në shtetin shqiptar nuk po vlerësohet siç duhet.
“Në Gjermani për shembull, gjetëm një kontejner me një ngarkesë të jashtëligjshme brenda, pra që nuk plotësonim dokumentacionin, por nuk na preku njeri ne, nuk kishte njeri punë me ne. Morën ngarkesën dhe gjithçka e zgjidhën me kompaninë, jo me ekuipazhin. Ne s’jemi gjë tjetër veçse ekuipazh, të punësuar”, shprehet kapiteni.
Gjithë çfarë ka kaluar s’janë asgjë për të, përballë mallit dhe shqetësimit që ka për familjen.
Ai na tregon se meraku i tij më i madh janë 5 fëmijët e vegjël dhe bashkëshortja që e presin në shtëpi, të cilëve në këto 8 muaj jua ka dëgjuar zërin vetëm një herë.
“Është shumë e vështirë për mua. Kam lënë 5 fëmijë atje dhe janë të gjithë të vegjël, se vetëm 8 vite kam që jam martuar. Më i madhi është 7 vjeç dhe imagjino të qëndrosh aq shumë kohë pa mundur sikur vetëm t’i thuash që je mirë e të paktën t’ua dëgjosh zërin”, rrëfen ai.
Zuhair Alkafi, dy ndihmësit Muajid Altabir, Amad Abushala, si dhe punonjësi i ngarkim-shkarkimit, siriani Badr Tezini, akuzohen për “Kontrabandë me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Kontrabanda e kapitenit, pilotit ose ekuipazhit”, të kryera në bashkëpunim.
Në mes të muajit mars gjykata vendosi zëvendësimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në atë të “detyrimit të qëndrimit në një vend të caktuar”, ndërsa hetimet vijojnë.
LEXONI GJITHASHTU:
- 2.2 milionë dollarë naftë kontrabandë, lirohet ekuipazhi i anijes Queen Majeda
- Ndalohet anija në Durrës, vinte me 22 500 tonë naftë kontrabandë nga Rusia