Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka takuar dy punonjësit e policisë që arrestuar të kërkuarin Orges Bilbili si dhe vajzën e plagosur gabimisht gjatë operacionit. Z. Lleshaj shprehet se efektivët e skuadrës “Shqiponja” dëshmuan profesionalizëm duke kapur një prej personave më të rrezikshëm.
Reagimi i ministrit të Brendshëm:
Një kombinim rrethanash solli, që gjatë një përplasje të rrezikshme mes Policisë së Shtetit dhe një personi me shumë rekorde kriminale, ku u përdorën armët e zjarrit, të arrihej të neutralizohej në gjendje të plagosur dhe të arrestohej një ndër personat më të kërkuar në vend.
Fatkeqësisht gjatë përplasjes mbeti e plagosur një kalimtare e rastit. Për t’i shprehur solidaritetin dhe për t’i kërkuar ndjesë qytetares së plagosur, bashkë me drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe asaj të Tiranës, bëmë një vizitë në spitalin ku është shtruar qytetarja e plagosur, e cila është nën kujdesin e plotë të mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Gjithashtu, me respekt takova edhe punonjësit e skuadrës “Shqiponja”, të cilët sot dëshmuan ato cilësi që të gjithë kërkojmë tek Policia jonë: zgjuarsi, vigjilence, përgjegjësi, profesionalizëm dhe trimëri. Pavarësisht pandemisë, Policia nuk e humbet fokusin tek detyrat e saj bazë.