Procedura për t’u pajisur me kartë identiteti është lehtësuar, jo vetëm në kohë por edhe në kosto, duke iu ardhur në ndihmë çdo qytetari brenda Shqipërisë, por edhe atyre jashtë vendit. Përmes një pagese prej 3,000 lekësh, çdo qytetar mund të pajiset me letërnjoftim elektronik brenda 3 ditësh.
IdentiTek, kompania shtetërore për prodhimin e dokumenteve biometrike, ka sjellë këtë shërbim të ri për qytetarët shqiptarë, i cili është pritur mjaft mirë nga publiku.
“Rreth 20% e aplikimeve për kartë identiteti bëhen përmes kuponit të përshpejtuar, dhe kjo që nga dita e parë e lançimit.Ndërkohë që po kryenim testimet finale, u regjistrua rastësisht edhe blerja e parë nga një qytetare, çka tregon se po plotësojmë një nevojë reale të qytetarëve”, tha Freskida Haliaj, Drejtore e IdentiTek.
Tashmë, vetëm me një kartë bankare, qytetarët mund të kursejnë kohë dhe të shmangin radhët e gjata, duke blerë kuponin elektronik në faqen zyrtare: ëëë.identitek.al.
“Çdo qytetar që dëshiron të blejë kuponin online, mund të hyjë në faqen zyrtare IDENTITEK.AL, ku gjendet një udhëzues i detajuar për çdo hap të procesit. Mjafton të keni një kartë bankare. Nuk ka asnjë pagesë shtesë, çmimi është i njëjtë si në postë apo online, me avantazhin që mund ta blesh shumë shpejt dhe ta aksesosh nga kudo.Ky opsion nuk zëvendëson metodën tradicionale të blerjes së kuponit fizik në postë, por plotëson një nevojë për një grup të caktuar qytetarësh”, shtoi Haliaj.
Me paraqitjen e dokumentit të vjetër të identitetit, ose përmes vetëdeklarimit të humbjes apo vjedhjes në platformën e-Albania, qytetarët mund të aplikojnë në një nga zyrat e IdentiTek dhe, pas tre ditësh, tërheqin kartën e re në të njëjtin vend ku kanë aplikuar.
Ky shërbim është i aksesueshëm për, qytetarët që pajisen për herë të parë me letërnjoftim elektronik, ata që rinovojnë dokumentin e skaduar, si dhe për ata që kërkojnë zëvendësim për shkak të skadimit, dëmtimit apo humbjes.
IdentiTek është certifikuar nga standardi ndërkombëtar ISO 27001, duke garantuar se të dhënat personale të qytetarëve janë të sigurta dhe të mbrojtura.