Autoritetet italiane thanë se numri i personave të infektuar me virusin e ri me prejardhje nga Kina është katërfishuar të premten, teksa 8 persona janë infektuar në një spital në veri të vendit.
Shumë prej rasteve të reja përfaqësojnë dhe rastet e para të infektimeve në Itali të marra në rrugë dytësore, duke e çuar numrin në total në 17.
Ngjarja ka ndodhur në disa qyteza pranë Lodit, në rajonin e Lombardisë, lajmëroi shefi rajonal i shëndetësisë Giulio Gallera.
I pari që shfaqi simptomat e virusit ishte një 38-vjeçar nga Italia që kishte takuar dikë që ishte kthyer nga Kina më 21 janar, i cili nuk shfaqte ur ende simptoma të virusit, kanë raportuar autoritetet mjekësore.
Ai person po mbahet tashmë në izolim dhe duket se organizmi i tij prodhon antitrupa ndaj virusit.
38-vjeçari është shtruar në spital në gjendje kritike për jetën, ndërsa pozitiv kanë rezultuar dhe gruaja dhe një mik i tij.
3 pacientë në spitalin e Kodonjos, ku ai u paraqit me simptoma gripale më 18 shkurt, janë infektuar gjithashtu, ashtu si edhe 5 persona nga stafi mjekësor.
Edhe tre persona të tjerë që frekuentonin të njëjtën kafene në rajonin e Lombardisë, kanë rezultuar pozitivë ndaj virusit të premten, përveç tetë personave që janë në spitalin Kodonjo, tha Gallera.
Grupi i rasteve
Ministri i Shëndetësisë së Italisë, Roberto Speranza, thotë se Italia po sheh tashmë të njëjtin grupim të rasteve si Gjermani dhe Franca.
Ministria e Shëndetësisë ka dhënë urdhër që cilido që ka pasur kontakt të drejtpërdrejtë me personat e infektuar të vihet në karantinë për 14 ditë.
Rreth 150 persona, duke përfshirë dhe stafi mjekësorë, janë në izolim dhe po kryejnë testet përkatëse.
Izolohet qyteti
Kryetari i Bashkisë së Kodonjos ka lëshuar një dekret ku kërkohet mbyllja e gjithë restoranteve, kafeneve, shkollave, palestrave dhe diskotekave. Ministria e Shëndetësisë këshilloi banorët e zonës që të qëndrojnë në shtëpi si masë paraprake.
Një qytet tjetër, aty ku jetonte çifti që është infektuar, Kastiljone d’Ada, tha se bibliotekat, zyrat publike, palestrat dhe depot e mbeturinave do të mbyllen si një masë mbrojtëse.
Spitali i Kodonjos mbylli dhomën e emergjencës ndërsa stafi është parë me maska teksa vendosnin shtretër dhe mobilje të reja në kuadër të masës së karantinës. Personi që udhëtoi nga Kina nuk ka shfaqur ende simptoma por është vënë në izolim në një spital tjetër, tha Gallera.
Spitali Infektiv i Romës thanë se po trajtojnë tre persona të tjerë që janë të infektuar duke përfshirë dhe një çift nga Wuhani dhe një italian që pas trajtimit me kurën antivirale duket se nuk po shfaq më simptoma të virusit.
Pavarësisht thirrjes për masa mbrojtëse, për italianët po bëhet shumë e vështirë gjetja e maskave mbrojtëse. Një farmaci në Milano raportoi se i kishte shitur të gjitha javë më parë, ashtu si edhe një farmacist në Kodonjo.