Ekspertja e turizmit, Flora Xhamani Baba paralajmëroi përsëritjen e ngjarjeve tragjike në bregdet, për sa kohë mungon menaxhimi i duhur dhe nuk zbatohet ligji.
Ajo e cilësoi absurde fushatën e qeverisë me patrullime në bregdetin e Potamit, ku dy ditë më parë u shënua tragjedia me 7 vjeçaren, duke e ditur fare mirë se asgjë nuk do të ndodhë pasi situata është ende e nxehtë.
Sipas saj, formula e duhur është që plazhet të administrohen përmes strukturave shtetërore dhe publike.
“Agjencia e Bregdetit nuk dihet se çfarë bën; nuk mund të xhirojë helikat pranë bregut skafi. Po të kushte roje bregdetare këto gjëra nuk do të ndodhnin. S’ka grupe kontrolli në terren. Këtu do të jemi, uroj të mos ndodhë, por do të kemi viktimën e radhës. Është absurde nga ana e qeverisë që del sot në Potam kur e di që asgjë s’do ndodhë sot atje, ku ngjarja është e nxehtë, ndërkohë në gjirin e Lalëzit bëhet nami me motorët e ujit.
Një ngjarje e rëndë u shënua 2 ditë më parë në plazhin e Potamit në Himarë, ku një 7-vjeçare u përplas për vdekje teksa ishte në breg, nga një skaf që drejtohej nga shtetasi Arjan Tase.
Arjan Tase, ish-shef i komisariatit të Himarës është arrestuar dhe akuzohet për vrasje nga pakujdesia.
Në dëshminë e tij, Tase ka sqaruar se gomonia të cilën e ngiste ka marrë gaz në mënyrë të menjëhershme dhe ka bërë një rrotullim në vend e për pasojë ai ka humbur kontrollin.
LEXONI GJITHASHTU:
Të pasigurtë në plazh, pushuesit në Golem frikë për fëmijët pas tragjedisë në Himarë
Tragjedia në Himarë, Lapaj: Problemi ynë s’është ligji, por zyrtari i korruptuar