Gjenerali i Aleancës së Atlantikut të Veriut, Michael Barbero, deklaroi sot nga në Tirana se bota është duke jetuar në kohë të rrezikshme dhe vigjilenca nuk duhet të mungojë në asnjë moment.
Gjenerali i NATO-s shprehet se vendi ynë nuk është i rrezikuar, ndërsa përgëzoi Shqipërinë për mbrojtjen që ka ofruar ndaj muxhahedinëve. Ai tha se prania e muxhahedinëve në Shqipëri nuk përbën asnjë kërcënim.
“Nuk mendoj se muxhahedinët janë një kërcënim, mendoj se Irani mund të ishte një kërcënim sepse ata i përjashtojnë muxhahedinët, për shkak se muxhahedinët kanë luftuar për demokraci në Iran, çka është një kërcënim për regjimin.
Kujtoni që qëllimi kryesor i regjimit të mullahëve në Teheran është mbijetesa e regjimit. Dhe muxhahedinët janë një kërcënim për të.
E admiroj atë që Shqipëria ka bërë për t’i mbrojtur muxhahedinët, t’i sjellë këtu e t’i vazhdojë t’i mbrojë”, tha gjenerali i NATO-s.
Teksa foli për kërcënimet e Iranit kundrejt Shqipërisë, gjenerali Michael Barbero, i ftoi autoritetet shqiptare që të qëndrojë të lidhura ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Aleancën e Atlantikut të Veriut.
“Në qoftë se Irani ju shikon juve si një kërcënim, mund të ketë një sulm. Unë do të qëndroja vigjilent, dhe do vazhdoni të qëndroni të lidhur me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara.
Nuk e besoj se mundësia për një sulm është e madhe, por është një botë e rrezikshme”, u shpreh gjenerali i NATO-s.
Udhëheqësi suprem i Iranit Ali Khamenei, reagoi dje pas sulmit të ndërmarrë me raketa ndaj dy bazave amerikane në Irak.
Gjatë fjalës së tij ai nuk la pa përmendur as vendin tonë, ndërsa shtoi se: “Në një vend evropian, në një vend shumë të vogël evropian, por shumë i lig, ka disa elementë amerikanë me disa tradhtarë iranianë. Ata u bënë bashkë për të komplotuar kundër republikës islamike”-tha Ali Khamenei.